Sa i bukur është gjimnazi…

Nga Alex**
Gjimnazi është një periudhë aq sa e bukur për disa, aq e vështirë për disa të tjerë. Dihet për ata që ndihen ndryshe dhe mendojnë ndryshe gjimnazi nuk është vendi më i bukur për të kaluar 3 vitet e tua të adoleshencës. Viti i parë nisi me mua tashmë më të rritur, kalim i rëndësishëm nga vitet e 9-vjeçares drejt rrugës së pashmangshme të rritjes. Rritja nisi shpejt me mua në fakt, kur zbulova vetveten, më saktë një pjesë të saj. Homoseksualitetin e pranova herët brenda vetes, por nuk mund ta flisja dot akoma me zë të lartë dhe krenar akoma. Viti i parë nisi me mua dhe tim vëlla, mbështetja ime e madhe gjatë gjithë jetës së gjimnazit pavarësisht xixave tona,të ulur në të njëjtën bankë. Im vëlla është ai person që të gjithë e pëlqejnë, i shkathët, tërheqës në atë të vetën, i shoqërueshëm me të gjithë, çdo gjë që unë nuk e konsideroj pjesë timen. Ashtu si i shkathët që ishte, shikon një vajzë që për koeçidencën e tij kishte të njëjtën këmishë si ai, të kuqe. Kjo e bën atë që shpejt ti flasi dhe pak më vonë të krijojnë atë lidhjen tipike të gjimnazit. Shpejt ne të tre krijojmë miqësi të mirë, dhe unë që më në fund i hapem kësaj vajze me të cilën krijova një lloj besimi. I tregoj ndjenjën “e tmerrshme” të cilën natyralisht e ndjeja. Shpejt ajo habitet, habitet aq shumë sa fillon mos ta besojë, sikur unë po bëja shaka dhe nuk kishte mundësi që unë të pëlqeja djemtë. Çdo herë që ajo mendonte se ishte shaka dhe tundte kokën si shenjë mosbesimi, aq herë tundja kokën unë në shenjë aprovimi. Turpi në fakt më përpiu i tëri, duke menduar se kjo nuk ishtë ashtu siç e mendoja se do të ishte. Nejse, më në fund shoqja jonë u bind, edhe pse gjithsesi vazhdontë të ishtë e shokuar, a thua se unë kriminel.
Ditët kalonin shpejt dhe mendja ime ka qenë gjithmonë tek mësimet. Gjithmonë i pari në klasë. Një ditë si për fatin tim të keq, shoku i përbashkët i shoqes tonë dhe vëllait tim vjen në klasë dhe me aparencën e tipit të shkathët “cool” (tani që e mendoj me vjen të qesh se as nuk është tipi im) më tërheq vëmendjen time. Mendimet më kalonin të tipit mbase ai është “kriminel” si unë. Mbase më në fund do të jem dhe unë si të tjerët, të ndjejë të njëjtat gjëra si të tjerët. Të ndihem paksa normal brenda “abnormalitetit” tim. Tipi “cool” nuk ishte “kriminel”. Përkundrazi kishte një vajzë të klasës së tij për të dashur. Atëherë unë dhe e dashura e tij nuk njiheshim. Unë këto pëlqimet e mia “kriminale” ja shpreh shoqes tonë. Ja shpreh një natë në celular. Çdo gjë në dukje dukej në rregull. Po ja që ndodhi që nuk ishtë. Ndodhi që ndërkohë që unë shprehja pëlqimin tim për tipin “cool”, biseda jonë po regjistrohej nga ana e saj. Ditën e nesërme ky regjistrimi u shpërnda nëpër shkollë, ku e dëgjuan pothuajse gjithë klasa e tipit “cool”, disa nxënës nga klasat e tjera dhe vetë ai tipi. Ironia qëndron se shkolla jonë është afër cirkut të Tiranës, po cirku po ndodhte në gjimnazin tonë. Argëtimi i tipit “cool” isha une. Ai kur e mësoi këtë pëlqim filloi të luante. Unë tashmë isha argëtim për të. Unë filloj të kem një shoqëri shumë të mirë me të dashurën e tij në atë kohë. Ajo ishte e zgjuar, e sjellshme dhe shumë sociale. Një ditë nga ky afrimiteti ynë, i hapem në lidhje me pëlqimin tim kundrejt të dashurit të saj. Kurrë nuk do e harroj reagimin e saj. Më përqafoi dhe më tha faleminderit. Faleminderit që më beson mua aq shumë sa ta ndash me mua këtë gjë. Por gëzimi nga ky reagim u shua shpejt kur ajo më tregoi që e dintë këtë gjë nga regjistrimi i “shoqes sonë”. Nuk e dhashë veten direkt, por literalisht fytyra ime ngriu. Si mundej dikush të më lëndonte në këtë mënyrë. Pse duhej të më ndodhte mua kjo gjë. Gjithë pjesën time të vitit të parë e kalova duke menduar për këtë gjë. Asnjë fjalë nuk dilte nga goja ime. Besimi u thye. Sa i bukur është gjimnazi…/ HistoriaIme
Ky shkrim është shkruar nga një student i Historia Ime Summer School #Storytelling si pjesë e prodhimeve të studentëve në shkollën verore.
** Emri i studentit mbetet anonim me kerkese te tij!