Myzyraj për Radio Evropa e Lirë: Të arrestohen dhunuesit e aktivistëve në Beograd

Isa Myzyraj nga organizata “Pro LGBT Albania” tha për Radion Evropa e Lirë (RSE) se shpreson që prokuroria dhe policia në Serbi të arrestojnë dhe ndëshkojnë sulmuesit e aktivistëve shqiptarë LGBTI+ në Beograd.
Ai tha se policia nuk iu përgjigj menjëherë thirrjeve për ndihmë të kolegëve të tij, të cilët u sulmuan pas shëtitjes së Krenarisë dhe koncertit të Europride mbrëmjen e 17 shtatorit.
“Pas disa minutash thirrje për ndihmë, policia ka arritur t’i përzë sulmuesit, por nuk i ka arrestuar edhe pse kanë mundur. Dy aktivistë kanë përfunduar në spital”, tha Myzyraj për Radion Evropa e Lirë.
Tetë shqiptarë LGBTI+ u sulmuan nga një grup prej dhjetë personash kur po ktheheshin në hotel pas Europride.
Edhe pse kanë ardhur së bashku në Beograd, Myzyraj nuk ka qenë me aktivistët në momentin e sulmit, por ishte në kontakt të vazhdueshëm me ta.
“Në mes të rrugës Takovska, rreth 150 metra larg hotelit, panë një grup prej 10-12 personash të veshur me rroba të zeza, të cilët ishin të dyshimtë, kështu që aktivistët tentuan të kalonin në një rrugë tjetër, por huliganët vrapuan pas tyre. ” tha Myzyraj për Radion Evropa e Lirë.
Ai deklaroi se sulmuesit fillimisht kapën djalin e vetëm në grup dhe filluan ta rrahin.
“Dy vajza i dolën në ndihmë dhe tentuan ta shpëtonin. Ekstremistët i sulmuan të tre, ndërsa aktivistët e tjerë vrapuan drejt policisë që ndodheshin rreth dhjetë metra larg vendit të ngjarjes”, tha Myzyraj.
Ai shtoi se policia nuk iu përgjigj menjëherë “thirrjeve të dëshpëruara nga aktivistët LBGTI+”.
Pasi sulmuesit u larguan aktivistët u kthyen në hotel gjatë natës, ku policia erdhi rreth një orë e gjysmë pas sulmit.
“Për mendimin tim, policia serbe nuk arriti të ruajë rendin dhe sigurinë në rrugët e Beogradit. Shpresoj që Prokuroria dhe policia në Serbi do të bëjnë punën e tyre në përputhje me ligjet. Serbia duhet të tregojë se është e gatshme të gjykojë këdo që guxon ta shkelë ligjin”, tha ai.
Ministria e Brendshme nuk iu përgjigj pyetjeve të RSE-së se pse sulmuesit nuk janë arrestuar menjëherë, apo nëse policia është në kërkim të tyre.
Ministri i Brendshëm Aleksandar Vulin njoftoi më 19 shtator se ministria e tij “do të kryejë identifikimin e të gjithë personave që shkelën rendin dhe qetësinë publike në Europride”.
“Menjëherë pas përfundimit të identifikimit të personave Ministria e Punëve të Brendshme do të dorëzojë raporte në prokurorinë kompetente”, – thuhet në njoftimin e Vulin.
Organizatorët e Europride kanë bërë të ditur se disa pjesëmarrës të atij evenimenti ndërkombëtar janë sulmuar gjatë kthimit nga Pride Walk dhe se ata kanë qenë kryesisht të huaj, por ka pasur edhe shtetas serbë.
Ata i kanë bërë thirrje policisë dhe organeve të tjera kompetente që menjëherë t’i gjejë dhe ndëshkojë autorët, të përcaktojë të gjitha rrethanat dhe të përmbushë premtimin se do të garantohet siguria e të gjithë pjesëmarrësve.
Shëtitja e Krenarisë u mbajt më 17 shtator në Beograd me siguri të rreptë policore dhe përplasje sporadike mes të djathtëve dhe policisë.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, tha se gjatë ditës, për shkak të incidenteve të lidhura me Europride, janë ndaluar gjithsej 64 persona, ndërsa dhjetë policë janë lënduar lehtë.
Isa Myzyraj nga organizata “Pro LGBT Albania” i tha RSE se askush nuk mund të jetë i sigurt “përderisa ka grupe ekstremiste që ndonjëherë janë më të fuqishme se vetë shteti”.
Ai shtoi se përkundër sulmit ndaj aktivistëve, do të vijë sërish në Beograd, për Paradën e radhës të Krenarisë.
“Do të vij të takoj miqtë e mi të guximshëm, aktivistë të komunitetit LGBT. Do të jem sërish në BeogradiPride 2023 pranë aktivistëve të jashtëzakonshëm nga Serbia, të cilët përkundër kërcënimeve agresive të ekstremistëve, nuk reshtin së kërkuari drejtësi”, tha Myzyraj.
Ai tha gjithashtu se si qytetarë të Ballkanit Perëndimor, aktivistët dhe qytetarë të Evropës “nuk do të ndalen përballë asnjë sulmi”.
“Unë do të protestoj çdo vit në Beograd, Sarajevë, Podgoricë, Prishtinë, Tiranë dhe Shkup, sepse besoj se liria dhe barazia mund të arrihet vetëm nëse jemi bashkë, në këtë luftë kundër ekstremistëve dhe liderëve autoritarë që nuk ndajnë vlerat evropiane. ”, tha Myzyraj./ Radio Evropa e Lirë