Pse duhet dalur hapur si person LGBTI+?!

11 tetori është dita Ndërkombëtare e Coming Out
Në debate të shumta në Shqipëri, si publike por edhe në tavolina kafenesh në lagje mes shokëve, gjëja më e shpeshtë që u thuhet anëtarëve të komunitetit LGBTI është se: “ pse duhet ta dimë nëse je gej ose lezbike?”
Zakonisht kjo është një pyetje e personave që jo vetëm nuk janë të informuar mjaftueshëm rreth komunitetit LGBTI+ por edhe nuk duan të dëgjojnë më shumë, të mësojnë, dhe të dinë vërtetë se sa e vështirë është për një person të komunitetit LGBTI+ që të jetojë me vite të tëra si person i izoluar.
Kur dy persona njihen për herë të parë, në shkollë, në punë, në rrugë apo në një tjetër ambient, sigurisht që pyetjet e para janë mbi njëri-tjetrin, për të pasur një panoramë të përgjithshme të personit që ke përballë, si shoku i klasës, apo kolegu i punës, apo një person që njeh rastësisht në urbanin e Kamzës për shëmbull.
A ju duket i çuditshëm fakti nëse një shok ose shoqe ju pyet: cila është ëmbëlsira jote e preferuar?
Sigurisht që askujt nuk i duket e çuditshme.
Le të marrim një shembull me ëmbëlsirën.
Nëse një shok ju fton në darkë, dhe ju përgatit tortë me luleshtrydhe, por në fakt ju nuk e konsumoni tortën, shoku juaj, do të ndihet keq që nuk ju ka pyetur më parë se çfarë ëmbëlsire ju pëlqen.
Ndaj është e rëndësishme që në marrëdhënie njerëzore, ne të dimë sa më shumë për njëri-tjetrin.
Por le të kalojmë tek coming out, ose dalja hapur.
Dalja hapur e lejon personin të zhvillohet si një individ i tërë, lejon fuqizim më të madh dhe e bën më të lehtë për një individ të zhvillojë një imazh pozitiv për veten.
Duke dalë hapur, personi është në gjendje të ndajë me të tjerët se kush janë dhe çfarë është e rëndësishme për të, në vend që të fshihet ose të gënjejë për identitetin e tij.
Dalja hapur e çliron personin nga frika se mos “zbulohet” dhe e ndihmon të shmangë një jetë të dyfishtë, e cila mund të jetë jashtëzakonisht stresuese dhe demoralizuese.
Së fundi, të dalësh hapur e bën më të lehtë lidhjen me njerëzit që janë queer, lezbike, gej , biseksualë, ose trans, duke dhënë një ndjenjë komuniteti gjithëpërfshirëse./ HistoriaIme