Debati për barazinë gjinore ndez studion e “Opinion”.

Emisioni “Opinion” i mbrëmjes së djeshme u shndërrua në një arenë diskutimesh të forta mbi çështjen e barazisë gjinore dhe të drejtave të komunitetit LGBTQ+. Me në panel Albana Osmani, Anxhela Faber, Elsa Ballauri, Xheni Karaj, Akil Pano dhe Altin Hazizaj u përballën aktivistë, përfaqësues fetarë dhe figura publike, duke sjellë një debat të ndezur mbi kufijtë e lirisë dhe respektit në shoqërinë shqiptare.
Akil Pano, me qasje të forta konservatore, e cilësoi projektligjin për barazinë gjinore si “një kancer për familjen tradicionale”, duke mbrojtur rolin e fesë dhe familjes ”tradicionale”. Aktivistja Xheni Karaj solli perspektivën e komunitetit transgjinor, duke theksuar se realiteti i tyre është një përditshmëri e vështirë dhe shpesh e dhimbshme, dhe kërkoi mbështetje më të madhe institucionale.
Nga ana tjetër, Anxhela Faber deklaroi se “transgjinorët janë femra vetëm nga jashtë, por jo nga brenda”, duke nxitur reagime të forta në studio. Momente tensioni pati edhe nga replika e Pano-s ndaj Karaj, ku ai e pyeti në mënyrë provokuese se “a do të dëshironte të puthte një grua në kishë”.
Në audiencë ishin studentë, aktivistë dhe qytetarë të thjeshtë, të cilët reaguan me duartrokitje apo kundërshti, duke reflektuar polarizimin e shoqërisë mbi këtë temë.
Pas emisionit, aktivisti Kristi Pinderi reagoi në rrjetet sociale duke mbështetur qëndrimin e Karaj. Ai solli shembullin e burrneshave, duke theksuar se kultura shqiptare ka qenë historikisht elastike dhe krijuese në përshtatjen me kohën:
“Që në mesjetë shqiptarët e kanë konsideruar gjininë një konstrukt social, ligjor, kanunor që mund të negociohet sipas konteksteve. Rasti i burrneshave e tregon qartë se gjinia ka qenë e shkëputur nga seksi biologjik. Kaq e thjeshtë është!”, shkroi Pinderi.
Debati i mbrëmshëm dëshmoi se barazia gjinore mbetet një nga temat më polarizuese në Shqipëri, por edhe një fushë ku nevoja për dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës është më e fortë se kurrë.