Gjatë një programi të njohur televiziv në Itali, një futbollist i njohur ndër të tjera dhe si paksa xheloz, “u prangos” gjatë kohës televizive nga gruaja e tij dhe produksioni i shfaqjes. Sakaq, në faqen e emisionit në internet, gruaja u përshkrua si “një grua shumë e bukur, saqë burri i saj e bëri të fshinte të gjitha mediat sociale nga xhelozia”, duke e justifikuar kështu si posaçërisht protektiv kontrollin mbi jetën dhe mediat sociale të saj.
Prangosja u inskenua për të provokuar xhelozinë e futbollistit. Gjatë shfaqjes, ne bëhemi dëshmitarë të përshkallëzimit të dhunës në familje: kontrollin e celularit të viktimës, kufizimin e lëvizjeve të saj dhe mungesën e vendimmarrjes, fyerjen dhe poshtërimin, goditjen e saj, si dhe sulmin ndaj admiruesit të pretenduar. Servirja e kësaj torte është e dyshimtë sepse, teksa shfaqja ka mbaruar, gruaja përqafon burrin e saj dhe qesh. Sikur të thosh’, “asgjë nuk ndodhi, dashuria ime”. Në këtë rast, mund edhe të insinuojmë që ka dorë vetëm produksioni, por në anën tjetër le të mos e përjashtojmë si skenar brendësimin dhe trashëgimin e ideve mbi rolet gjinore dhe determinizmin akut “gruaja prej natyre ka nevojë për mbrojtje”, si normë të besuar e të përligjur dyanshëm. Ndonëse për viktimën mund të jetë imponuar përdhunshëm, apo e ardhur si formë përshatjeje me shoqërinë për palën që lyp si nevojë demonstrimin e predominancës burrërore.
Por, kur do ta kuptojmë se dhuna fizike ndaj grave është vetëm maja e një piramide, në bazën e së cilës qëndrojnë pikërisht këto sjellje?
Për sa kohë që ne i justifikojmë veprimet si këto, me fraza si “epo, ai është thjesht pak xheloz” në vend që ta dënojmë si të patolerueshme, ose “dakord, ai e ekzagjeroi, por ajo e provokoi atë”, apo “asnjë ligj apo politikë e re nuk do të ndihmojë në të vërtetë”, atëherë ora e rërës drejt emancipimit dhe progresit shoqëror ka për të ngrirë në vend. Ne nuk kemi nevojë për shtypje që mbivendosen dhe rëndojnë më tepër, për ta luftuar dhunën ndaj grave, ne kemi nevojë për arsimim – edukim për barazinë, respekt për autonominë e të tjerëve dhe menaxhim të zemërimit.
Kur ballafaqohemi me një publicitet të këtillë për skena të dhunshme xhelozie, mund ta pyesni veten lirshëm, sesi është e mundur që në dekadat e fundit gjërat kanë ndryshuar kaq pak. Ngjarje të tilla kemi parë dhe vazhdojmë të kemi pjesë të përditshme të asaj çka konsumojmë nëpërmjet mediave online dhe gjuhës së urrejtjes të përdorur pa teklif. Njësoj edhe në transmetimet televizive me normalizimin e diskriminimit, dhunës dhe shndërrimit të këtij materiali në konsum për masat e gjera.
Shoqëria e spektaklit, referuar nocionit të Guy Debord për sa më lart, nuk mund të luftohet lehtë, sepse i ka rrënjët e ngulura fort në sistemin që ushqehet nëpërmjet marrë-dhënieve okulte me pronësinë e mediave, e këto të fundit nëpërmjet katapultimit të konfliktit shoqëror duke i dhënë ngjyrat mendjemarrëse të televizionit, pasurohen. Në të kundërt, kujt duhet t’i vlejë kthjelltësia dhe përpjekja për të luftuar prapambetjen publikisht, nëse nuk sjell fitim? Ndryshe do ta shtronim pyetjen nëse do të kishim politika sociale që promovojnë barazinë, sfidimin e miteve dhe marrëdhënieve të nënshtrimit familjar, apo institucione që do të kujdeseshin posaçërisht për tejkalimin e këtyre problemeve. Këtu nuk përjashtohet mirëmenaxhimi i autoriteteve audio-vizive, këshillit të mediave apo entiteteve të tjera që për shqetësim kryesor duhet të kenë mbrojtjen “e konsumatorit” që detyrohet të hajë ç’ti japin.
Fakte nga ngjarja. Më 12 shkurt, gjatë shfaqjes së njohur televizive “Le Iene”, Italia Uno transmetoi një “shaka” duke vënë në lojë futbollistin Lorenco Insigne, sulmuesin e Napolit dhe numrin 10 të kombëtares italiane. Shakaja ishte se gruaja e tij, Xheni Danarone, duhej ta bënte atë të besonte se ajo përndiqej nga një regjisor që donte ta puthte me një aktor, gjatë një audicioni aktrimi për “Madame Bovary”.
Reagimet e Insigne-s janë filmuar përgjatë disa ditëve. Së pari, kur Danarone përpiqet të flasë me të për skenarin, ai thotë se nuk dëshiron të dëgjojë për të dhe urdhëron që ajo të mos u përgjigjet thirrjeve të regjisorit. Atëherë, ai e godet në fytyrë, duke thënë: “Unë nuk dua të dëgjoj më prej teje”, “mos më çaj kokën”, duke e quajtur atë “budallaqe” disa herë. Kur Danarone merr lule dhe mesazhe të ndryshme nga drejtori, Insigne telefonon punonjësen e pastrimit, hedh lulet në plehra, merr telefonin e gruas së tij dhe u përgjigjet thirrjeve të drejtorit. Ai më pas i thotë gruas së tij, që të shkojë flejë. Teksa ajo përpiqet të tregojë se dëshiron ta pranojë rolin, ai përgjigjet: “Unë vendos. Ti nuk di asgjë. Periodë!”. Më në fund, kur Insigne zbulon se gruaja e tij shkoi në audicion përkundër kërcënimeve të tij, ai shkon atje dhe fillon ta godasë aktorin – e gjitha kjo ndodhi në një televizion kombëtar.
Kjo ka ndodhur në një vend ku, sipas të dhënave të ISTAT, 31.5% e grave midis 16-70 vjeç (6 milion 788 mijë) kanë vuajtur të paktën një formë të dhunës fizike ose seksuale, për të mos përmendur ato që vuajnë çdo ditë dhunë psikologjike dhe / ose ekonomike, ku viktimat duhet të luftojnë të vetme për t’u identifikuar dhe ngritur zërin.
Referuar: NewsMavens
Liri Kuçi