Shembet vila monument kulture. Bashkia: Ministria tha se nuk ish monument kulture! (VIDEO)
TIRANË – Vila-11 ne kryeqytet e cila gëzon pasaportën e mbrojtjes paraprake si monument i trashëgimisë kulturore është shembur gjatë natës së 15 qershorit duke u gdhirë e marta për tu ndërtuar më tej një pallat, leja për të cilin është dhënë nga Bashkia e Tiranës.
Vila është shembur në më shumë se gjysmën e saj, ndërsa pas denoncimit të Ministrisë së Kulturës, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit ka bllokuar punimet e mëtejshme dhe ka njoftuar kompaninë e ndërtimit për pezullimin e punës.
Ishte ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro e cila denoncoi këtë rast si shkelje të hapur të ligjit, pasi më 15 korrik të 2014 Vila-11 e ndodhur në rrugën “Asim Zeneli” pranë ambasades rumunue është vendosur në mbrojtje paraprake me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit. Ndërkohë që vetëm tre muaj më vonë, më 6 tetor Bashkia e Tiranës ka dhënë leje për ndërtimin e një pallati, një vendim ky sipas Kumbaros, që bie në kundërshti me ligjin e Trashëgimisë Kulturore i cili ndalon ndërhyrjet në objektet në mbrojte si monument kulture.
“Kjo leje është krejtësisht e paligjshme, dhe nuk duhej të ishte dhënë pas këtij vendimi. Dhe, ashtu siç thotë populli ‘punët e liga bëhen natën’, ky objekt është prishur gjatë natës, në kundërshtim me ligjin. Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve dhe Drejtoria Rajonale e Kulturës kanë reaguar menjëherë. Kemi çuar kallëzimin në polici, i kemi çuar shkresë edhe Bashkisë së Tiranës, si dhe kemi njoftuar Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, i cili dje ka kryer aktin e pezullimit”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Kumbaro u ka kërkuar organeve të drejtësisë të ndjekin procedurat ligjore për zbardhjen e kësaj çështjeje. /A1 Report/
http://https://www.youtube.com/watch?v=m-LvU94ihcY