Debat per ato skenat e djeshme… Duhet te flasim, JO TI JUSTIFIKOJME
DEBATI – Duhet te flasim per ato skenat e djeshme me torten, JO TI JUSTIFIKOJME!
Kristi Pinderi
Unë kam një problem shumë të madh me argumentat e djeshme dhe të sotme të shumë qytetarëve që duan të justifikojnë ato skenat e tmerrshme të njerëzve mbi tortën e famshme.
Thonë: “Njerëzit ishin të sinqertë në urinë e tyre”, “njerëzit ishin të sinqertë në zemërimin e tyre” (këtë të fundit e thotë Mero Baze në editorialin e tij të djeshëm), “nuk kanë faj njerëzit që janë të paushqyer”, “fajin e ka qeveria që nuk di të organizojë”, etj.
Unë nuk jam dakort që shqiptarët janë të paushqyer aq sa të na ofronin dje ato pamje që vetëm në Afrikë mund të shikohen. Madje as në Afrikë nuk mund t’i shikojmë ato pamje, maksimumi mund të shikojmë atë lloj energjie në rastet kur shpërndahet ujë apo ilaçe se torta s’kam parë ndonjëherë të shpërndahen në Afrikë! Dmth njerëzit sillen ashtu kur duan të kenë diçka pa të cilën do të vdisnin nëse nuk do ta siguronin. Madje disa javë më parë është organizuar në Shqipëri Java e Shëndetësisë ku qytetarët mund të vizitoheshin falas pranë doktorëve të mirë dhe seriozë. Kishte rradhë të gjata, po nuk pati asnjëherë probleme të pamenaxhueshme.
Ajo zonja me legen në dorë nuk më dukej dje sikur ishte nga ata fëmijët e pastrehë që shikojmë çdo ditë në rrugët e Tiranës.
Këta fëmijët i shikojmë në kryqëzimet kryesore, por për ta nuk flasim fare sepse, ngaqë janë në shumicë pjesëtarë të komunitetit rom, besojmë thellë thellë se e meritojnë të jenë në rrugë (!), apo se: ashtu kanë qenë gjithmonë ata! Apo më keq akoma: sa halle kemi ne, do merremi me romët tani që ashtu duan të jetojnë vetë!. Kur shumë prej tyre u strehuan te zyrat e Avokatit të Popullit, shoqëria nisi të tregonte barcaleta, jo të mendonte për ta…
Për ironi këta fëmijët e rrugës (janë mbi 800 vetëm brenda unazës së Tiranës sipas të dhënave jo zyrtare nga organizatat e të drejtave të njeriut) mund të ishin dje vetëm 0.01 përqind e atyre që u sulën si të babëzitur. Të babëziturit e kanë mundësinë të hanë një tortë, kurse fëmijët e rrugës jo…
E megjithatë këta fëmijët e braktisur unë i pashë të luanin mbi tortë, jo ta grabisnin me legena! I pashë të luanin si të ishin duke gjuajtur topa bore! Disa prej tyre i pashë të hanin te rreshti i parë i tortës, siç tregon një foto e botuar dje në Reuters (që për ironi kishte dhe titullin: fëmijë duke ngrënë tortë, e jo fëmijë duke grabitur me legen tortë!)
Eshtë shumë më e justifikueshme të shikosh fëmijët të luajnë në atë mënyrë, apo edhe të hanë me duar aty te rreshti i parë, se sa të shikosh gratë e burrat e veshur (jo të zhveshur si fëmijët e rrugës), si ato e ata që pamë të mbajnë në duar legena babëzie. Them legena babëzie, jo legena urie!
Dhe nuk është fare Ok që pastaj t’i justifikojmë me argumentin se “janë të paushqyer”, apo se “qeveria s’di të organizojë”, apo më tej akoma “se ishin të sinqertë në urinë dhe zemërimin e tyre”.
Vetëm zemërim që nuk kishte dje! As ndaj qeverisë, as ndaj Bashës, as ndaj Tiranës. Dhe shumë keq, që nuk kishte!
Mediat e huaja na i kursyen komentet mbi ato skena të tmerrshme. Por unë do të isha më i qetë sikur ta kishin bërë ndonjë koment… Sepse vetëm kur të tjerët na thonë diçka, ne nisim të mendojmë seriozisht! Brenda nesh ne nuk merremi asnjëherë siç duhet me veten tonë. Merremi ose me Berishën, ose me qeverinë, ose me këdo që tenton të bëjë politikë.
Kam qenë në qershor të këtij viti në Manhatan dhe në një qendër strehimi për të pastrehët nën moshën 30 vjeç, të uritur, të sëmurë dhe pa shpresë kam parë situatën më të rëndë të mundshme edhe për shqiptarët më të paushqyer! Por te realiteti i më të zhgënjyerit atje, edhe pse vetëm 18 vjeç shikoja dinjitet për të luftuar urinë, jo babëzi. Nënë Tereza është personi më i kritikuar në historinë e shekullit të 20 të Kishës Katolike sepse gjatë gjithë jetës së saj luftonte për t’u dhënë dinjitet të varfërve të më të varfërve dhe jo detyrimisht të investonte me donacionet në emër të saj për të luftuar varfërinë në mënyra strategjike afatgjata.
Kur do të vijë ajo kohë që të mendojmë për shoqërinë dhe ta ndihmojmë njëri tjetrin për të nxitur dinjitet dhe jo babëzi e në të njëjtën kohë të mendojmë më pak për sjelljen e politikanëve që mos përfundojmë pastaj të biem dakort me “çdo popull ka qeverinë që meriton”?
Fishta thotë në dialektin e vet që bën pak a shumë kështu: Shqipëria u bë (pa tentuar të thotë asnjëherë kush e bëri), po shqiptarët, kur do bëhen…?