Heshtja eshte vertet flori!
Nga Pandi Gjata
Deri më sot nuk kam qenë pjesë e asnjë prej organizatave jofitimprurëse në Shqipëri. Maksimumi mund të kem qenë i ftuar në ndonjë aktivitet të organizuar, ku mund të më kenë ftuar miq apo të njohur dhe nuk u kam thënë “Jo”. Mund të isha pjesë e ndonjërës prej tyre.
Madje mund të kisha krijuar edhe unë një të tillë. Ca para, ca fonde, një mbështetje, e sigurt që do i kisha siguruar. Ndonjëherë edhe i kam thënë vetes, apo miq të mi mund të ma kenë shtruar si pyetje, se përse nuk jam angazhuar? Ndoshta sot nuk i kujtoj të gjitha përgjigjet që mund të kem dhënë. Megjithatë, jam i qetë dhe ndihem mirë, që deri më tash nuk kam vepruar ndryshe. Aq më shumë sot, kur mësoj se në Shqipëri ka rreth 1651 organizata jofitimprurëse. Sipas “Vizion Plus”, 1046 kanë selitë e tyre në kryeqytet. 235 prej këtyre OJF-ve janë regjistruar pranë Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, një organizëm ky i ngritur për të financuar me fonde nga buxheti i shtetit, shoqatat në interes të publikut për çështje të ndjeshme. Kjo agjenci ka financuar nismat e 69 OJF-ve, të cilat kanë kushtuar 120 milionë lekë të reja. Projektet e tyre përgjithësisht kanë për qëllim t’u adresohen dhe përshtaten problemeve më të mprehta të shoqërisë apo grupeve më vulnerabël të saj. Por nuk kam dëgjuar se cila nga këto OJF ka ngritur zërin për çështjen e ditës së këtij muaji, grevën e urisë të ish të përndjekurve politikë.
Përveç zërave të shkëputur të shoqërisë civile, ata që përbëjnë pjesën dërrmuese heshtin. Heshtin se një pjesë e mirë e atyre që e quajnë veten shoqëri civile janë të blerë dhe mbahen në këmbë me paratë e qeverisë. Trajnohen në seminare, konferenca dhe workshoop-e me njëri-tjetrin. Janë të njëjtit në tryezat e organizuara në Tiranë, nëpër pikat turistike nëpër Shqipëri, apo nga njëri cep i botës në tjetrin. Paguhen salla konferencash, hotele, dreka, darka dhe kokteje pa fund. Madje pjesa më e mirë e tyre janë pjesëmarrës të “rregullt” dhe paguhen për të plotësuar karriget e sallave, pasi ata që flasin e ligjërojnë për moralin, shoqërinë, padrejtësitë dhe japin mend, janë pothuajse të njëjtët. Ka nga ata që të shqyejnë telefonin, të çojnë SMS për t’i ftuar nëpër emisione televizive, për t’u dërguar kamera në aktivitetet e tyre që të dalin në edicionet e lajmeve, apo që t’i pasqyrosh në faqet e gazetave. Për ta nuk ka rëndësi se lajmi është mbulim apo kronikë, se i fton 5 minuta në një emision mëngjesi apo pasditeje, apo në një emision kryesor, se i nxjerr një lajm kokë faqe apo një rrip mbushës në gazetë. Ata duan thjesht ta dokumentojnë punën e tyre. Ta dokumentojnë për ata që u japin paratë, që janë donatorë të huaj apo vendas. Dhe jeta për ta vazhdon. Madje shumë më mirë nga projekti në projekt. Por misioni që i kanë vënë vetes është i dështuar.
Nuk është vetëm rasti i ish të përndjekurve që dergjen prej 26 ditësh në një grevë urie në një cep të Tiranës. Por pjesa më e madhe e këtyre OJF-ve, ku bëjnë pjesë ata që thonë se përfaqësojnë shoqërinë civile heshtin edhe kur i fton për të reaguar për rastin e masakrimit të 18-vjeçares Ajshe Vata, apo bashkëmoshatares së saj Nazime Visha, siç ishte aktiviteti i djeshëm “Stop dorës vrastare ndaj vajzave dhe grave shqiptare”, ku thirrjes për këtë temë mjaft delikate iu përgjigjën vetëm 30 organizata, ndërsa numri i tyre në Tiranë është shumë herë më i madh.