I duam grate Nazime qe te mos perfundojne Aishe ?
4 muaj më parë diskutonim se cilat tema do të duhej të tërhiqnin më shumë vëmendjen tonë, teksa bashkë me tre vajza dhe një djalë tjetër aktivistë të Pro LGBT po organizonim rubrikat e një portali lajmesh për të drejtat e njeriut (historiaime.al). Nuk e dinim ende se, në fakt, për të edukuar apo për të nisur një proçes edukimi për shqiptarët paska rëndësi një temë që është kyç për gjithë shoqërinë tonë e që qëndron si nevojë emergjente për gjithë shoqërinë: feminizmi.
Të vetmen mbretëreshë të vërtetë që kemi mundur që nga lashtësia ta pranojmë në këto vise dhe ta admirojmë ka qenë në të vërtetë, një regjente…
Një tjetër, të huaj, e kemi patur vërtet pjesën më të bukur të historisë sonë moderne siç thotë Kadare, por edhe ajo ka qenë “Queen Consort” vetëm për 1 vit këtu…
Në traditën shqiptare, edhe atë të riformësuar gjatë 20 viteve të fundit, femrën ne nuk e kemi pranuar asnjëherë të na udhëheqë, por nuk kemi dashur as edhe që të vetëpërmbushet. Kemi dashur ta formësojmë sipas roleve që (thonë studiuesit) i përshtateshin zhvillimit, gjeografisë dhe historisë së vendit (!!!).
Kur ka mundur të qeverisë një femër, si në rastin e Teutës, e kemi quajtur (ne dhe të huajt) pirate që sulmonte anijet romake, sidomos afër gjirit të Kotorrit.
Ose, kur një femër na ka imponuar autoritetin që më parë ia ka përcaktuar ndonjë diktator nga këta tanët, na ka rezultuar (apo na është dashur ta konsiderojmë) ose “Eminencë gri”, ose arrogante e tipit “të kap prej zhelesh e të flak përjashta”.
Në letërsi, në mitologji dhe në kulturën popullore u kemi rezervuar rolin më fatkeq të mundshëm, zakonisht të përshtjellë nga rrobat e zeza që vajtojnë burrat dhe djemtë e vrarë në luftë, që presin vajzat e sjella natën nga fantazma të dala nga varret e djemve të tyre! Gjithë makabritetet e fantazisë por edhe të realitetit tonë historik kanë gjithmonë në qendër të tyre një grua, një nënë, një motër, ose një bijë.
Kujtoni brezin e artë të aktoreve tona që sot ose janë të moshuara, ose nuk jetojnë më, i mbani mend rolet e tyre më madhështore? Role grash, nënash që pasi vendimet janë marrë nga burrat apo nga rrethanat e vendosura nga burrat ato janë “burrëruar” për të amortizuar dhimbjen e përbashkët. I quajmë heroina, pse vuajnë, apo pikërisht pse vuajnë “me dinjitet”, i quajmë burrnesha!
Mungesa e një ideologjie dhe e një beteje “grassroots” e feminizmit në Shqipëri është, për mendimin tim, arsyeja kryesore pse shoqëria shqiptare nuk di të përballet me zhvillimet e botës moderne, por përballet ende me ngjarje të papërfytyrueshme sociale.
Në Shqipëri, ne i kemi detyruar vajzat dhe gratë që të jenë Nazime, në më të shumtën e rasteve, për të mos përfunduar si Ajshe!
I duam si burra kur na duhet të na amortizojnë pasojat e dramës sonë, por i duam edhe si gra të heshtura e të bindura kur na duhet të plotësojnë dëshirat tona…
E për pasojë mund të jenë edhe plaçkë apo frymë që duhen mbajtur me bukë, si në rastin më të fundit të poligamisë në Kamëz.
Ndjesë për këtë më poshtë, po a nuk kemi qenë ne shqiptarët që kemi shpikur edhe atë shprehjen makabre: aq e bukur sa t’ia presësh kokën për ta vënë në bufe!?
Në 20 vitet e fundit një grup grash të emancipuara kanë arritur shumë, në fakt. Por, unë mendoj se energjitë kryesore të tyre përmes organizatave shumë të nevojshme të shoqërise civile janë fokusuar ose në energji të kota apo dhe të tepërta ndonjëherë të lobimit ekskluzivisht politik, apo legjislativ, ose në projekte fyese të tipit panaire për të promovuar punët e dorës, apo kurse banale që nuk e edukojnë femrën por e mësojnë më shumë si të jetë skllave ose e makinës qepëse, ose e grepit, ose e gjilpërës, ose e shtizave.
I mësojnë pastaj edhe si t’i shesin këto produkte që të mbajnë me bukë burrat!
Mungesa e një ideologjie të mirëfilltë feminizmi që të ketë inat brenda vetes, mençuri, pasion, energji dhe vizion ka bërë që në këto vitet e fundit gabimisht dhe pa bereqet këto përfaqësuese të organizatave të shoqërisë civile kanë tentuar të ndryshojnë burrat dhe jo gratë!
Mënyra më e mirë se si gratë mund të fuqizohen nuk vjen përmes shifrave të pjesëmarrjes së tyre në politikë apo në Parlament. Vjen mbi të gjitha duke synuar “kuota” (nëse kjo është e vetmja mënyrë) që ato të arsimohen, por mbi të gjitha të edukohen që në djep për fuqinë e vërtetë që kanë, per te qene ato qe duan te jene dhe jo ato qe duhet te jene: fuqinë dhe feminizmin të cilën nuk duhet ta negociojnë asnjëherë, as me burrin, as me djalin, as me vëllain e as me …gjyshin!
Lexoni me shume per feminizmin ne historiaime.al