Liraku duhet te jete i fundit – sot kemi nje aktivist me pak per drejtesi por dhe mundesi te reflektojme
Nga Kristi Pinderi
Ta themi hapur: po dëgjojmë për ditë e muaj të tërë lajme nga më makabret sa të gjithë ndihen si të mpirë apo krejt imunë para befasisë apo habisë. Këto të dyja nuk na bëjnë më efekt në përditshmërinë tonë. Tashmë nuk na habit më asgjë dhe asnjë. Për këtë arsye lajmi për ikjen nga jeta të Lirak Bejkos po përcillet mbi të gjitha dhe ndoshta vetëm me trishtim.
Eshtë kërcënuese për një shoqëri kur nis t’i përcjellë dukuritë më të këqija të vetat vetëm me trishtim. Trishtimi është sa njerëzor dhe i pashmangshëm si ndjenjë po aq edhe drobitës dhe tregues i mungesës së mënyrave aktive për të reaguar.
Trishtimi është në një farë mënyre hapi i parë drejt proçesit të pranimit të një fenomeni. Trishtohemi se nuk kemi ç’të bëjmë tjetër…
Por ndoshta ky mund të jetë dhe një sinjal jo fort negativ, po ta mendosh hollë. Ndoshta do na duhet të heqim dorë nga mënyrat tona tipike emocionale, të ashpra dhe të dhunshme, herë ndaj të tjerëve, e herë ndaj vetvetes. Po çfarë mund të bënim, do pyeste dikush, kur në këtë vend nuk ka më respekt për asnjë formë njerëzillëku dhe drejtësie qoftë dhe minimale?
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, fjala vjen, ka nisur tashmë një proçes pranë Gjykatës së Apelit për të luftuar me mjete ligjore vendimin absurd të shpalljes së grevës së ish të përndjekurve politikë si të paligjshme. Ky akt nuk do t’u sjellë dot dëmshpërblimet atyre, ndoshta duket si pa vlerë sot, ditën e lajmit të keq, por ky është një hap konkret se më mirë disa gjëra të bëhen me hapa të vegjël, të menduar dhe të duruar, se të sakrifikojmë veten në forma ekstreme. Ky është vetëm një rast, në formë ilustrimi i asaj që po përpiqem të them. Por ka raste të tjera si njerëz të devotshëm, herë të vetëm, herë të ndihmuar nga struktura të shoqërisë civile po çojnë sot përpara kauzat e tyre, jo vetëm në Tiranë por edhe në cepat më të harruar të Shqipërisë, si rasti i një nëne të vetme me tre fëmijë e cila u ndje e braktisur kur tek bahçja e saj shteti kërkonte ta taksonte për tre rrënjë domate që do të rriste për të shtuar diçka më shumë në tavolinën e fëmijëve të saj. Nuk ishte dakort, kontaktoi me organizatat që mbrojnë të drejtat e gruas dhe sigurisht tani është më e ndërgjegjësuar, ndihet jo më e braktisur, patjetër që vazhdon të ketë njëmijë e një probleme, por di të jetojë me dinjitet dhe të përpiqet. Po zhvillohet një konferencë jashtëzakonisht e vlefshme për rolin e gruas në 100 vjetorin e pavarësisë dhe aty ka raste pafund të tilla. Më të vuajturat i kemi këto nënat, motrat, gratë e gjyshet tona, por më të heshturat, më pak protagonistet.
Unë besoj se trishtimi, siç të topit, ashtu edhe të ndihmon të reflektosh më shumë. Kemi nevojë të reflektojmë dhe ti japim vetes qetësi për të menduar para se të digjemi! Liraku duhet të jetë i fundit qytetar që vdes në atë mënyrë makabre pa mundur të realizojë vënien e drejtësisë. Por që drejtësia të vihet në vend duhet ta konsiderojmë njëri tjetrin si aktivistë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ajo çfarë ka më shumë rëndësi në betejën për drejtësi është siguria dhe jeta e secilit prej nesh. Le të bëjmë hapa të vegjël, quajini dhe hapa milimetrikë po të paktën kështu mbrojmë njëri tjetrin, edukojmë veten me gabimet gjatë rrugës dhe u japim të rinjvë dhe një mesazh të dyfishtë: që gjërat e mira bëhen me ngadalë dhe jo gjithmonë me bujë, e se jeta e njeriut, e çdo njeriu, ka më shumë rëndësi se çdo pushtet dhe se çdo regjim.