Ndreca: Une nuk kam vrare as nje zog pule, ketu jane vrare mbi 5 mije vete qe kur ai ka qene president
Të përndjekurit e tjerë i gëzon rikthimi i Ndrecës dhe deklarojnë: Do ta thyejmë Berishën. Nga greva nuk dalim
Pranë ambienteve të grevës së urisë së ish- të përndjekurve politikë është rikthyer Gjergj Ndreca, edhe pse akoma në gjendje të rënduar shëndetësore dhe në ambulancë. Ndreca është kthyer nga Greqia ku po kurohej dhe ka takuar menjëherë bashkëluftëtarët e tij.
Ai ka deklaruar se ata janë të vendosur për tu sakrifikuar përpara ambasadës amerikane.
“Këtu po vetëflijohen vëllezërit e mi,” tha Ndreca për mediat nga ambulanca.
“Kam probleme me sytë, shikoj pak. Nuk e kam ndjekur grevën sepse kam qenë në reanimacion. Gjykata ju merr të keqen të burgosurve politikë. Ne nuk e njohim këtë gjykatë dhe as këtë qeveri. Ne njohim Gjykatën e Hagës, Strasburgut. Ne nuk njohim gjykata që thonë nuk njohim grevën e urisë,” tha Ndreca.
“Kam dështuar njëherë, nuk dështoj kësaj radhe. Jam tepër i ndërgjegjshëm,” vijoi Ndreca.
“Ai veprim që kam bërë më parë do bëhet më i ëmbël se do vdesim në paqe. Njeriu ka të drejtë të vdesë kudo, pa i prishë qetësinë tjetrin. Po këtu nuk ka as gjykatë, as Kushtetutë. Greva do të vazhdojë,” deklaroi Ndreca.