Nese mendoj se jetojme te vetmuar, do me kryqezoni si komunist?
Nga Kristi Pinderi
Foto nga Grupi Femijet e viteve 80-90 (Facebook)
Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më parë më të vetmuar se sot. Në kohëra jo fort të largëta, sikur ishin bërë njësh me fatin e përbashkët. Jetonin të shtypur, vërtet, madje të frikësuar deri në palcë nga rreziqe që mund të vinin nga kushdo, pa përjashtim: nga pjella, siç i konsideronim fëmijët, nga motra, vëllai, madje edhe nga gruaja apo burri.
Në atë lloj fatkeqësie ama, jetonin bashkë! Deri në mërzitje: bashkë në krevat, bashkë në familjen e gjerë, bashkë në rradhën e qumështit, bashkë te rradha e dyqanit të bukëve që dyndej nga miqësitë kur mbarontë buka 5 lekëshe e fillonte ajo 4 lekëshe (më e trashë, më bindëse, ndoshta më ushqyese), bashkë te rradha e gazit, bashkë te talonat që jepnin mbi 14 kile mish të çuditshëm për familje ne muaj në fillim të viteve 90-të, bashkë në fatkeqësi, në të mirë e në të keq, pra.
Rregjimi ishte i tmerrshëm, por në atë horrorin e vet stimulonte jetën komunitare. Egoiste, e padrejte dhe e turpshme, ne vetvete. Por ishte aq komunitare sa edhe turpet që janë (apo mund te jene) vetjake, përjetoheshin bashkarisht!
Në thelb ajo shoqëri-shtet-gjysëm-komb të privonte nga gjithçka po të donte, ishte e ashpër, kriminale dhe kafshërisht padrejtë nëse të vinte përpara.
Por, pa mendoni njëherë: në çdo rrethanë, edhe në ato më ekstremet, gjeje gjithmonë raste kur një njeri, dy njerëz, tre njerëz apo më shumë, të gjendeshin pranë… ashtu në fatkeqësinë e tyre edhe ata. Gjenin mënyrën që brenda sistemit të tregonin njeriun, njerëzillëkun.
Unë mund të jem emocional, shumë i ri në moshë për të bërë të tilla krahasime, ndoshta i padrejtë me familjet e atyre mijëra shqiptarëve të mirë që u sakatosën, u burgosën, u vranë, u ekzekutuan, u përdhunuan e u surgjynosën.
Por a nuk ndihemi vetëm sot në atë mënyrë tragjike që edhe burri më prepotent e më mashkullor sdo dinte si tia bënte? Mos harrojmë që burrat e grate e vetmuar janë si fëmijët: egoist si fëmijët, të padrejtë si fëmijët, endërrimtarë si fëmijët, të paditur e të paaftë si fëmijët…
Pardje një njeri i paralizuar u vra teksa ishte në arrest shtëpie, me dy policë që i paguajmë të bëjnë punën por që rezultoi se u frynin mizave! Babai i viktimës në Elbasan, siç duket në momentet kritike kishte luftuar me vrasësit, të cilët e kishin rrahur, goditur e masakruar aq keq, sa i kishin thyer brinjët, kockat, zemren… Policia e mizave tha dje se ai kishte vdekur nga “ataku kardiak”…
Pak ditë para kësaj, një grua u therr me një thikë në zemër, ngaqë në një rrugë në mës të Tiranës refuzoi t’u dorëzohej dy kalamanjve të papunë, të pashpresë, të paarsimuar, pa asnjë të ardhme, pra të vetmuar, të cilët po tentonin t’i zhvatnin një varëse floriri nga qafa.
M’u në mes të Kërrabës, një 75 vjeçare tregon se, në vetminë e natës, të vendit, e të “burrërisë” së shtetit, kishte mësuar mbesën si të mbante një automatik në dorë, si ta mbushte, si të qëllonte me të, e madje dhe si ta vajoste! Kjo e fundit, e vetmuar gjithashtu, i zbatoi mësimet…
Mbi 3300 fëmijë adoleshentë të Tiranës dhe rrethinave, në vend që të shkojnë në shkollë, gjejnë të vetëm, e pastaj organizohen në grup, mënyrat si ti japin jetës ende të panisur një kuptim: duke vjedhur për të jetuar, më së shumti.
Më acaronte zëri i një gruaje pardje, kur tek një kafe e vogël bërtiste në celular: “O Pandi, ç’të të them vëlla, kudo keq është, sa erdha nga Janina mezi gjeta punë dy orë në ditë. Pastroj kështu, sa të mundem deri në shtator, keq fare është dhe këtu pot ë paktën kemi shtëpi… me shpresë… do bëhet ndonjë gjë në shtator se s’bën”.
Përfytyroni sa të vetmuar mund të jenë mbi 600 mijë shqiptarë që besonin se kishin ngritur një jetë në Greqi. Tani atje, disa parti nuk duan as t’i lejojnë të marrin gjak në rast nevoje, e as të japin gjak, nëse nuk janë “helenë”…
Përballë apartamentit tim është një derë e vjetër, e kohës së komunizmit, me një bravë të fillimit të viteve 90-të. Të vetmet herë që mund ta shikoj të zotin, një i moshuar më shumë se 70 vjeç që del te dera, janë ditët kur faturuesit e ujësjellësit “stampojnë” derë më derë faturat. Plaku shfaqet, u bërtet me të madhe, derisa faturuesit largohen nga shkalla. Pastaj mbyllet sërish brenda në atë shtëpi të vetmuar, të pluhurosur e të pavizituar asnjëherë nga askush…
E keni vënë re sa të vetëm jeni përballë CEZ, Bashkisë, pronarit, punëdhënësit, Ujësjellësit…?
Po përballë njerëzve tuaj, shumë prej të cilëve ju shikojnë si rrezik, në rast se jeni në nevojë, e jo si gjak, a qoftë si njerëz që u duhet dhënë një dorë?
Në rast se keni ndonjë hall emergjent, provoni të bëni ndonjë listë me njerëz të mundshëm që ndoshta kanë mundësi, nerva dhe sidomos dëshirë t’ju ndihmojnë. Bëni një provë… Të paktën me veten, nuk ka pse të mos jeni të sinqertë…
5, 10, 20, 40, 70, 120 burra e gra të dy fiseve janë të çoroditur, herë fajtorë, e herë viktima në një dramë tashmë të përbashkët për të gjithë shoqërinë: një 18 vjeçare (si më lart), thuhet, ka zbrasur gjithë plumbat e automatikut drejt një 45 vjeçari, baba i 5 fëmijëve. Ajo dhe të vetët e akuzojnë atë për përdhunues, shfrytëzues, etj. Familja e viktimës thotë të kundërtën. Që të gjithë këta janë vetmitarë: ajo gruajë që do paguajë kredi për gjithë jetën, ata fëmijë që do rriten me damkën e turpit, ata prindër në thellësitë e maleve, të tjerët, vëllezërit, motrat, të afërmit, secili vetëm në gjithë këtë ngjarje. Vetëm viktima, apo viktimat, madje vetëm autorja, autori, apo autorët.
Edhe në mes hyjnë gazetarët (edhe këta vetëm, në thelb dhe në realitet) që si askund tjetër të botë, vjedhin prova, apo blejnë prova, botojnë gjithçka, jo pse shtyhen nga ndonjë parim, por besojnë: do bëjmë 4 faqe me sms erotike, duke thënë numrat e plotë dhe duke hyrë deri në palcën më të thellë të personazheve! Do shesim gjithë javën gazetën, shumë shumë shumë…
Unë nuk kam as nerva, as kohë, as dëshirë të citoj studime shkencore filozofike, historike, apo hulumtime gazetareske e tek tuk artistike dhe populiste që shpjegojnë fare qartë se kapitalizmi, ai lloj kapitalizmi që dikur Enveri e lejonte të lexohej në ca autorë, si Drajzer, për shembull (dhe e indoktrinonte te fëmijët përmes librave si “Rruga e vërtetë”, apo “Përsëri në këmbë”, etj), apo i njëjti kapitalizëm që ca njerëz pak më aktivë, më tërheqës, më populistë si Beppe Grillo këtu afër, apo Michael Moore pak më larg, e denoncojnë, pra ai lloj kapitalizmi, jo detyrimisht është demokraci.
Cfarë dua të them, është se po jetojmë në një kohë e në një vend që të penalizon nëse kur ndihesh vetëm ankohesh! Të thonë: nip apo bir bllokmenësh, idiot, parazit, I paaftë për të fituar, jo I shkathët, I prapambetur. Të përdhunojnë me koncepte që nuk I njohin fare si: jemi ne demokraci! “Po dale mo burrë, se deri dje I qanim hallet bashkë, spot ë them të më ushqesh, as të më bësh të pasur, pot ë them të më dëgjosh”, mund të thotë një prej disa dhjetëra mijëra pensionistët e këtij vendi. Do I thonë: epo sjemi në kohën tënde xhaxha, sot jemi në globalizëm!
Isha 10 apo 11 vjeç, kur ime gjyshe u lumturua teksa në shtëpinë tonë erdhi më fund për drekë, në Pogradec, kushëriri i saj i parë, Maqo Como. Ishte bashkë me gruan, Liri Berishova. Situata në shtëpi ishte gati ceremoniale, por dhe shumë emocionale. Unë nuk dija, në fakt, asgjë, si fëmijë studioja. Im gjysh sapo kishte vdekur, pasi kishte votuar për herë të fundit, e për herë të parë lirisht, për PD. Vizita e atyre të dyve ishte në përkujtim të atij. Kishte bërë 30 vjet burg Maqo, gruaja dhë fëmijët kishin kaluar një ferr të vërtetë. Drita, vajza 23 vjeçare e tyre kishte vdekur e vetme, e ëma kishte hequr aq sa nuk përshkruhet dot, e prapë s’më del nga kujtimi Maqo Como, i moshuar, i bukur, dinjitoz, fisnik, i menduar, i heshtur dhe aq shumë i dashur me time gjyshe. Diçka e kishte mbajtur gjallë dhe të kthjellët: ndërgjegja se nuk ishte vetëm… Por u tret, 3 vjet më vonë, në vitet 90-të, ndonëse kishte mbijetuar 30 vjet rresht në burgjet e më të egrit rregjim kafshëror, ndoshta në të gjithë botën!
Sërish kujtoj që jam i vogël, ndoshta, në moshë, e nuk dua të lëndoj askënd, por a më besoni kur them se kurrë më parë nuk kemi qenë kaq vetëm…?