Nuk qaj vetem Ndrecen, po grushtin tone te ngordhur qe s’po i bie as malit as bajgave rreze tij – Iris Sojli
Nga Iris Sojli
Sa herë ndodh diçka kaq tronditëse sa flijimi i Gjergj Ndrecës, më duket sikur u mbush kupa dhe më në fund çdo gjë do ndryshojë. Se nuk mund të durohet më gjatë… “Kush e thotë?!” më pyet paraliza që më ka gllabëruar. “Do ndodhe kjo e shumë të tjera dhe ne do bëjmë sehir, se jemi të shtypur që në qelizë, që në spermën e baballarëve tanë që dëshironin një ditë më të mirë e të lirë.”
Sepse baballarët tanë janë shtypur, dhe baballarët e tyre gjithashtu. Stërgjyshërit, të cilëve po u festojmë sakrificat për të krijuar shtet po rrotullohen në varret e tyre të humbur, të harruar, të syrgjynosur nga vitet e një lavdie të turpit dhe të trupit. Të një Lavdie të forcës, asaj më të shëmtuarës, që nga mbretërit e deri tek të vetëshpallurit shpëtimtarë. Të një Lavdie të shpifjes, të katranosje dhe të manipulimit.
“Kush e thotë që s’do durojmë më shumë?!” më pyet ndërgjegjja. Ajo e lodhura, e paralizuara; ajo ndërgjegje invalide që s’merr asnjë pension të vogël nga intelekti ynë që ka për detyrë ta ushqejë.
“Kush tha se ky është kulmi?! Kulm nuk ka. Nuk ka fund se fillimi është harruar. Ka humbur diku në barrikada. Sa 1912-a, 1944-a, 1990-a do na mblidhen në koleksionin e shpresën tonë fakire për ndryshim? Ç’ndryshim zeza mund të vijë nga ripërtypja?