Poezi nga Bledi Mane – Mos e ke pare, e njeh, te njeh?
E pyes vjeshtën hipokrite mos e ke parë vallë?
Thjesht’ nis shkund gjethet e tetorit nuk nxjerr as zë as fjalë.
Ndaloj në rrugë kalimtarin e pyes për adresën:
Mos e ke parë, e njeh, të njeh? tregoma pash ti besën!
Por kalimtari si dhe vjeshta nuk flet e nuk ka ngjyrë
porsi kufom’e ngrirë vështron pa sy veç me gjymtyrë.
Një flakë zjarri shoh nga larg dhe turrem unë vërtik,
-S’ke dashuri ti brenda vetes, pse djeg veten or mik?
As flaka s’flet nuk flet as robi, veç tymi nxin përpjetë
dielli fsheh kokën pas një peme dhe shiun fshehin retë.
Kërkoj të flas dhe me natyrën pse hesht e nuk tregon
por e shikoj që dhe natyra veç dridhet dhe rënkon.
Një zhurmë nga pylli pret lastarin dhe klorofilin vret
nga terr i natës vdekja zgjohet, dikush një kokë pret.
Hej, hej ku je? bërtas e ngjethem pse s’del të vish këtu
çfarë të ka bërë kjo njerëzi që po e le kërcu???
Këtu ku Zoti det ka sjellë, zogj, lule, marrëzi
këtu ku toka djerrë ka mbetur e mbjellë pa dashuri…
Ku je pra, shfaqu shiko njerzinë, njer’zinë shiko në sy
nuk dinë ku shkojnë më qafë i morën kanë mbetur thatë pa ty.
Ti eja mos ki frikë aspak, të duan por s’kanë forcë
ua kanë brejtur jashtë e brenda me mish edhe me kockë.
Fillo nga pak vajosua mpirjen nga indet deri në tru
dhe prekua sedrën lehtë si puthja, do të të bien në gju’.
Nga turpi kokën do ta ulin, por do të qajnë pa lot
nga brenda ndizen porsi flaka nga jashtë akull të ftohtë.
Por dije se pa dashuri dhe tokën e kafshojnë
sa dashuria nis i do më veten s’e lëshojnë.
Tetor 2012
*facebook.com/bledi.mane