Reagojne mbrojtesit e te drejtave te kafsheve: Stop kurbanit
100 vjetori i pavarësisë është shumë pranë dhe ne po shohim përgatitjen e shumë aktiviteteve festive. Jemi të lumtur të festojmë një datë kaq të rëndësishme dhe vlerësojmë të gjitha përpjekjet për ta bërë këtë përvjetor një ngjarje të paharruar. Kjo është një kohë kur çdo shqiptar duhet të kujtojë të kaluarën, të reflektojë mbi mësimet e nxjerra nga historia dhe, si qytetar, të përkushtohet për të ndërtuar një të ardhme më të bukur, të begatë, të civilizuar dhe dinjitoze për vendin.
Por prej pak kohësh nëpër media po qarkullon një urdhër i pazakontë i Kryeministrit. Sipas këtij urdhri, duhet të merren masa për therjen e 1000 deshëve dhe 1000 qengjave. Mishi i kafshëve do t’iu shërbehet (apo shitet?) qytetarëve të Tiranës që do të festojnë përvjetorin e pavarësisë. Kjo do të ishte një mënyrë shumë e papërshtatshme për të festuar. Ky urdhër e çon Shqipërinë në shekullin e kaluar ose edhe më mbrapa në kohë. Shqipëria do të bëhej turpi dhe gazi i vendeve të Komunitetit Evropian, në të cilin ajo kaq shumë po përpiqet të bëjë pjesë.
Therja në masë e kafshëvë të pafajshme për të festuar përvjetorin më të rëndësishëm kombëtar është mizore, e panevojshme dhe si praktikë, i përket një të shkuare të largët dhe barbare. Kjo nuk është mënyra se si unë dua të festoj përvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë: unë dua ta ndaj këtë ngjarje të shënuar me fqinjët e mi Evropianë pa u turpëruar për vendin tim.
Pak muaj më parë, një mbledhje e Qeverisë kërkoi marrjen e masave të forta për të ndëshkuar therjen e kafsheve nëpër rrugë dhe shkeljen e rregullave sanitare. Në atë mbledhje u përdor termi “Mesjetë”. Ne nuk duam ta dëgjojmë atë fjalë të përdoret përsëri për Shqipërinë. Kjo mund të shmanget. Ne duam të jemi krenarë për Shqipërinë. Ne duam një Shqipëri që i përket vërtet shekullit të 21-të dhe familjes së madhe Evropiane. Dhe kjo është ajo që duan për Shqipërinë edhe shumë të huaj që e kanë firmosur këtë peticion. Dëgjojini zërat tanë dhe të tyre. Ju kërkojmë që të urdhëroni që ato kafshë të pafajshme të mos vriten.
Më poshtë linku për të firmosur këtë peticion:
http://www.change.org/petitions/dua-një-shqipëri-të-shekullit-të-21-të-stop-masakres-3