Romët mbesin sërish jashtë
Nga Ben Andoni
Një grup prej gati 60-70 familjarësh romë nga qyteti i Elbasanit, të organizuar nga “Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome” i kanë kërkuar Komisionit për Veprimtari Prodhuese të Parlamentit Shqiptar një përgjigje për peticionin e tyre. Ky i fundit i hartuar pak ditë më parë, shprehte indinjatën e komunitetit rom lidhur me nivelin shumë të ulët të financimit nga buxheti i shtetit për programet e strehimit social të vitit 2016.
“Qytetarët shkuan për të mësuar se çfarë është bërë me peticionin e tyre dhe a ishte marrë parasysh nga deputetët? A ishin realizuar ndryshimet e kërkuara prej tyre në buxhet? Por, ai që na u përball në parlament ishte thjesht përfaqësuesi i marrëdhënieve me publikun, i cili na kërkoi të merrte vesh për arsyen se pse kishim shkuar?!”, thotë Gentian Sejrani, aktivist i njohur i “Lëvizjes Rinore Egjiptiane dhe Rome”, në Elbasan. Gjithsesi, me insistimin e tyre ata arritën dhe u takuan vetëm me asistentë!!! Përgjigja që morën ishte negative, ndaj atyre u mbetet thjesht tanimë të vazhdojnë e të plotësojnë dokumentacionin për të përfituar, të paktën, nga grantet e Ministrisë së Zhvillimit Urban për bonusin e qirave, që do të thotë se asistohen në një farë kuote qiratë e familjeve rome.
Përgjigja që morën pas insistimit nuk ishte se nuk dihej, por ajo pikërisht që morën nga Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese i sqaronte se: në raportin e Komisionit për Çështjet Sociale dërguar Komisionit të Ekonomisë ishte dhe pika për çështjet e strehimit dhe buxhetit, por Komisioni i Ekonomisë nuk e kishte miratuar dhe e vetmja mundësi ishte që vetë Kryetari i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese z. Shalësi ta ngrinte si problematikë që të ishte amendament në seancën plenare në parlament. Në fakt, ashtu si dihej propozimi për çështjen e strehimit të tyre kish kaluar në komisione por nuk është miratuar.
Ata e kanë titulluar kokën e peticionit të tyre: Mospajtim me nivelin e financimit të programeve sociale të strehimit si dhe mënyrën e shpërndarjes së fondeve.
“Ne, qytetarë shqiptarë të gjendur në kushte të vështira jetese apo në pasigurinë e një strehe dinjitoze i drejtohemi përmes këtij peticioni Qeverisë Shqiptare dhe përfaqësuesve tanë në Kuvendin e Shqipërisë për të shprehur mospajtimin si dhe indinjatën tonë lidhur me nivelin shumë të ulët të financimit nga buxheti i shtetit për programet e strehimit social.
Gjithashtu ne kemi kuptuar që familjet me të ardhura të ulta në nevoje për një strehë e kanë të pamundur që të përfitojnë nga ndihma e shtetit për shkak se financimi për ndërtimin e banesave sociale apo për programe të tjera strehimi të përshtatshme për kategoritë e varfra është zero duke nisur nga viti 2015 deri në vitin 2018. Kjo situate e thellon edhe me shumë dramën tonë pasi në mungesë të financimit të strehimit social problemi ynë nuk ka asnjë gjasë për t’u zgjidhur.
Nga analiza e buxhetit afatmesëm 2016-2018 kuptojmë që nga ato pak fonde për strehimin social shumica shkon për programin e kredisë së lehtësuar i cili nuk i përgjigjet nevojave tona pasi ne nuk kualifikohemi për të përfituar një kredi për shkak të të ardhurave tona të pamjaftueshme. Përmes këtij peticioni ne kërkojmë prej Qeverisë dhe përfaqësuesve tanë në Kuvendin e Shqipërisë që gjatë shqyrtimit të projekt buxhetit të viti 2016 të konsiderojnë shqetësimin tonë duke dyfishuar fondin për strehimin social “Programin e Planifikimit Urban dhe Strehimit” dhe të sigurojnë një shpërndarje më të balancuar midis mbështetjes së programit të kredisë së lehtësuar dhe programeve të tjera të cilat i përgjigjen më mirë situatës tonë financiare.
Kërkojmë prej jush përgjegjshmëri dhe trajtim serioz të problemit tonë jetik, në të kundërt jemi të gatshëm që të përshkallëzojmë reagimin tonë në përputhje me të drejtën Kushtetuese si qytetarë të Republikës së Shqipërisë. Ka ardhur koha që ta marrim fatin tonë në dorë dhe të mos lejojmë më tej keqtrajtimin e të drejtave tona dhe të fëmijëve tanë“.
Sipas censusit të popullsisë Rome realizuar nga SOROS për Shqipërinë 15% e familjeve Rome ose 637 familje jetojnë në kasolle/baraka në kushte krejtësisht të papranueshme. Gjithashtu 68% e familjeve rome karakterizohen nga pasiguria e aksesit në banesë. Ende pjesa më e madhe e familjeve Rome jeton në banesa të vogla, pa disponuar edhe sipërfaqen më të nevojshme me aksesorët e duhur për banim.
Me pak fjalë, projekt-buxheti i vitit 2016 sa i përket strehimit është ende larg zgjidhjes së kushteve të jetesës së komunitetit Rom dhe Egjiptian. Edhe pse fondi i alokuar për strehimin i 2016 krahasuar me vitin 2015 është 16% më i lartë, për romët do shkojnë vetëm 113.8 milion për përmirësimin e kushteve të jetesës, që thjesht do ndihë familjet me qira, referuar aktivistëve të saj…
Duket se problemi më i madh është kakofonia e zërave që merren me trajtimin e çështjeve të tyre. Një mori e tërë shoqatash kanë bërë që qeveria dhe parlamenti shqiptar ta ketë shumë të thjeshtë, kur adresohen kundër pasi në shumicën e rasteve, romët dhe egjiptianët kanë probleme qasje me përfaqësimin e tyre. Që do të thotë mosnjohje dokumentacioni, përfaqësimi jo i duhur dhe konfuzimi etj.
Ministria e Zhvillimit Urban ka bërë me dije se programi që lidhet me përmirësimin e kushteve të banimit për komunitetin Rom dhe Egjiptian në njësitë e qeverisjes vendore, i krijuar për herë të parë nga qeveria Rama, për vitin 2016 kap shifrën e 113.8 milionë Lekëve. Do të shkoj i gjithi për investimin dhe zbatimin e projekteve për përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit Rom dhe Egjiptian, nga të cilat pritet të përfitojnë 183 familje rome dhe egjiptiane, në disa bashki të vendit! Një shifër e largët për shqetësimet reale të tyre. E për më tepër, theksojmë se është turp për masën e madhe të organizatave që janë marrë me ta dhe nuk kanë kontribuar asfare për përmirësimin e jetesës së tyre. Mbase që prej disiplinimit të tyre do të fillonte edhe përmirësimi i jetesës së romëve. /m.g
Burimi: Java News