Ministrja spanjolle e arsimit, Isabel Celaá, njoftoi gjatë javës së kaluar se historia e romëve do të mësohet në shkolla në mënyrë që studentët romë të ndjehen të përfshirë dhe të luftojnë kundër normave të ulta të performacës së tyre akademike.
“Ne do ta zhvillojmë kurrikulën pasi të miratohet ligji i ardhshëm i arsimit, sepse është thelbësore që nxënësit romë të ndjehen të përfshirë dhe të mirëpritur në shkollë, si dhe të shohim që komuniteti i tyre njihet, duke u përpjekur të fillojmë eleminimin e stereotipeve negative,”, tha Celaá.
Njoftimi u bë si pjesë e prezantimit të fushatës “The Desk Roma” (El Pupitre Gitano) e nisur nga Fondacioni i Sekretariatit Rom, i cili bën thirrje për masa specifike kundër neglizhencës së klasave të fëmijëve romë.
Popullsia Rome në Spanjë përbëhet nga më shumë se 700,000 njerëz. Një raport i vitit 2018 nga Këshilli i Evropës vlerësoi se më pak se gjysma e fëmijëve romë mbaruan vitet e detyrueshme të shkollës në Spanjë dhe i kërkoi vendit të zgjidhte problemin.
Informacioni i paraqitur nga ky fondacion është edhe më alarmant, pasi sipas tyre gjashtë në çdo dhjetë fëmijë romë braktisin shkollën e mesme para se ta përfundojnë atë. Ndërsa për popullsinë e përgjithshme, statistikat tregojnë se vetëm dy nga dhjetë fëmijë nuk e mbarojnë shkollën e mesme.
“Ka shkolla fillore ku 60% e studentëve vijnë me prejardhje rome,” deklaroi Isidro Rodriguez, drejtori i Fondacionit të Sekretariatit Rom, për Euronews në një intervistë për vitin 2018. “Shkollat që ndjekin fëmijët romë kthehen një lloj geto, ku nuk zbatohen masa për të ndryshuar këto modele.”
Shembulli i Spanjës mund të ndiqet lehtësisht nga shumë vende të tjera në Evropë dhe jashtë saj, ku komuniteti rom e komunitete të tjera të ngjashme hasin probleme me diskriminimin, segregimin dhe norma të larta të braktisjes së shkollës. Probleme të tilla janë të përhapura në masë të gjerë dhe në vendin tonë, por ende nuk ka politika konkrete për adresimin dhe zgjidhjen e tyre.