Ka kaluar mëse një muaj që nga dita e deklaratës së një prej qendrave më të mëdha të kontaktit në Shqipëri, AlbaCall, e cila njoftoi se rreth 900 punonjësve të saj, do t’u hiqej nga rroga mujore bonusi i përhershëm. Që prej datës 3 qershor, punonjësit e AlbaCall, nëpërmjet sindikatës “Solidariteti” e themeluar në krye të vitit 2019, kanë organizuar aksione të ndryshme kundër vendimit flagrant të kompanisë.
Ata kanë zhvilluar aktivitete të përjavshme, duke nisur nga peticionet, deri tek aksionet simbolike me pankarta jashtë mjediseve të punës së tyre; veprime të cilat kanë kulmuar dje me një manifestim paqësor përballë zyrave të kompanisë ku punojnë. Ata kishin përgatitur një banderolë të madhe ku shkruhej “ALBACALL MOS NA UL RROGEN!”. Pas kësaj, prej vetë kompanisë, është lajmëruar Inspektoriati Shtetëror i Punës, duke thërritur një mbledhje vetëm me disa përfaqësues të punëtorëve, ku kanë refuzuar dhe praninë e avokatit.
Punëtorët, janë shprehur të indinjuar, se sa më sipër, ky ka qenë një veprim i imponuar së lartmi dhe i anshëm për kompaninë. Pasi kanë dalë nga mbledhja, ata kanë denoncuar se Inspektoriati dhe vetë kompania AlbaCall, thjesht kanë përligjur reduktimin e rrogës dhe nuk kanë marrë parasysh kërkesat e punëtorëve e as kanë bërë ndonjë përçapje për negociata mes tyre.
Të gjendur në këtë situatë, e cila së paku në afatshkurtër nuk premton ndonjë zgjidhje në horizont, me anë të një deklarate për shtyp, sindikata “Solidariteti”, ditën e sotme, ka bërë me dije vendimin kategorik të punëtorëve për nisjen e grevave. Solidariteti, duket se do t’i shkojë deri në fund zgjidhjes së problemit të punëtorëve; si shkeljen flagrante të të drejtave në punë dhe lirinë e organizimit.
Këtu, mund të ndiqni aktivitetin e sindikatës në median sociale facebook. Si më poshtë mund të gjeni deklaratën e plotë të punëtorëve të organizuar në sindikatë, për përshkallëzimin e veprimtarisë së tyre.
“Deklaratë për media rreth situatës së punëtorëve të kompanisë Albacall
Që prej datës 3 qershor 2019, operatorët e kompanisë Albacall kanë nisur në formë të organizuar kundërshtimin e një rregulli të ri të nxjerrë rishtaz nga kompania, i cili penalizon një pjesë të konsiderueshme të punëtorëve të kësaj kompania nga një pjesë e pagës që u është dhënë gjithmonë dhe pa kushtëzime specifike.
Ky rregull i kompanisë del pa paralajmërim, funksionon me prapaveprim dhe është në shkelje me ligjin. Ulja e rrogës në mënyrë të njëanshme është abuzim me të drejtat themelore të punëtorëve. Situata ekonomike e operatorëve të prekur nga ky vendim është dëmtuar ndjeshëm. Shtojmë këtu faktin që shumica e këtyre operatorëve janë me një kohëzgjatje disa-vjeçare pune në këtë kompani, e shumë prej tyre janë familjarë e kryefamiljarë.
Si rezultat i këtij problemi, që nga ajo datë, 522 operatorë të kësaj kompanie kanë firmosur një peticion me disa kërkesa që kanë të bëjnë kryesisht me shkelje të Kodit të Punës, por deri më sot asnjë përgjigje pozitive nuk është marrë nga kompania.
Ne i jemi drejtuar gjithashtu të gjitha instancave shtetërore, kompetente për situata të tilla, por edhe aty nuk kemi gjetur asnjë zgjidhje përveçse zvarritjes burokratike dhe delegim kompetencash e fajesh nga njëra palë tek tjetra. Të gjendur në situatë pa rrugëdalje, ne kemi vendosur që të bëjmë publik problemin tonë, për t’i informuar të gjithë aktorët paraprakisht, për madhësinë dhe seriozitetin e problemit tonë.
Njoftojmë gjithë opinionin publik se ne, të bashkuar, do ndjekim të gjitha hapat e nevojshëm për të arritur deri në plotësimin e pikave të këtij peticioni, të cilat janë jo vetëm ligjore, por edhe plotësisht legjitime.“
