“Te kthehemi ne shtepi te femijet, tu mesojme dashurine per jeten por mbi te gjitha ti mbrojme”
Nga Valbona Sulçe
(Ne foton qendrore, ilustruese Princesha Matilde e Belgjikes gjate nje vizite ne Tirane, poshte-djathtas autorja e shkrimit, Valbona Sulçe)
Ditën e Nënë Terezës këtë vit do ta mbaj mend gjatë. Jo se nuk u bë asgjë si gjithmonë për Nënën e Madhe, por sepse këtë vit e ndjeva shumë më tepër frymën e saj. Në mes të zallamahisë që na ka kapluar vëmendjen me histori tmerri, greva urie, njerëz që vetëdigjen, protesta gazetarësh e kundërprotesta, dikush më solli në vëmendje një thënie të Nënë Terezës: “ nëse do të sjellësh paqen në botë, duhet ta fillosh nga shtëpia jote, me fëmijët e tu. Qëndro në shtëpi, duaji fëmijët, mësoji ata të mbrohen nga rreziqet.” Jam e sigurt se kush ka fëmijë, i ka shtrënguar më shumë pranë vetes në këto kohë kur fëmijët i kemi përzier pa faj në histori të tmerrshme. 8 vjeç e përdhunuar- 10 vjeç i vetëvarur sipas modelit të një filmi- 3 vjeç, pa nënë e pa babë , nënën e lënë poshtë urës dhe babën mërguar, 11 vjeç- i dhunuar nga shokët, 13 vjeç -qëllon shoqen me thikë pas një sherri në Facebook….
Këta nuk janë tituj. Këta janë fëmijët e Shqipërisë. Historitë e tyre bëjnë thirrje për vëmendje. Duke rendur cdo ditë pas punëve, kemi harruar fëmijët. Vrapojmë të sigurojmë bukën për ta dhe i kemi lënë vetëm. Vetëm përballë maniakëve seksualë. Vetëm përballë maniakëve politikë. Vetëm përballë televizionit.
Vetëm përballë internetit, facebook-ut. Vetëm përballë gjahtarëve të mendjeve të njoma për t’i kthyer në skllevër e ushtarë. Vetëm përballë historive ku abuzimi shitet si dashuri e seksi si argëtim me dëshirën e palëve. Vetëm përballë varfërisë. U numërojmë ditëlindjet pa mëshirë, 18 e pak , 18 pa pak, sikur ky kufiri i magjishëm 18 i bën menjëherë të rritur e për pasojë të gatshëm për t’u përballur me jetën që s’kursen askënd. Këta fëmijë me këto histori sot, nesër do jene adoleshentë, më pas prindër.
Ku i kemi lënë fëmijët gjithë këto kohë? Si t’i mbrojmë nga mënxyrat? Ka një mënyrë. Ne duhet të kthehemi në shtëpi, Të flasim me fëmijët. T’u themi se dashuria nuk fshihet te karamelet apo kapëset e flokëve. Ne duhet tu mësojmë fëmijëve në shkolla dashurinë për të vërtetën dhe jetën, po mbi të gjitha duhet t’i mbrojmë fëmijët. Secili të vetët e të gjithë bashkë fëmijët e Shqipërisë. Nënë Tereza ma kujtoi sesi bëhet kjo. Faleminderit, Nënë!