Turbullira e një fushate
Do të donim të orientoheshim gjatë kësaj fushate, por turbullira e krijuar nga gjithë kjo zhurmnajë e stisur, e bën mjaft të vështirë zgjedhjen. Premtimetlumë, shoqëruar me gënjeshtra pafund, po na e rrokanisin kokën me llojlloj projekte ishujsh dhe aeroportesh, që thuhet se do ta zbukurojnë e gjallërojnë më shumë këtë vend, ndërkohë që kopshti zoologjik do të zhurmoka edhe më tepër nga klithmat e ulërimat e kafshëve të shumëllojshme që do të mbushkan kafazet, tashmë të shkretuar të tij!
Ashtu si dje, me “projekte” bulevardesh dhe tramvajesh që s’u bënë kurrë, edhe sot epidemia e gënjeshtrës vazhdon t’i përfshijë të gjithë, politikanë e parti të çdo krahu, ku njëri thotë se do të sigurojë ujë gjatë gjithë 24 orëve, tjetri se do të lidhë me rrugë çdo fshat me qytetin, për të vazhduar me demagogji të tjera, të dëgjuara prej shumë vitesh, por asnjëherë të realizuara, ku megjithatë askush prej atyre që kandidojnë nuk del të thotë e të sigurojë se si do të ulet niveli i lartë dhe i papërballueshëm i papunësisë që na ka mbërthyer si një nga të këqijat më të mëdha.
Flitet e çfarë nuk dërdëllitet nga kandidatët e ndryshëm, të cilët fyhen dhe gërricen me njëritjetrin duke shkaktuar një humorkaps e që nuk u vlen aspak turmave elektorale, që të tulatura nëpër rrugë e sheshe rrinë e dëgjojnë si në jerm broçkullat e tyre të radhës… Fushata e tanishme, që fare mirë mund të quhet edhe e mashtrimit, ka përfshirë në një farë mënyre edhe fushën e sporteve prej së cilës dikush mendon se vjen një aromë më e lehtë për t’u kapërdirë dhe nga ku gënjeshtra mund të ngjisë edhe më mirë. Por, ajo që po shohim është e njëjta shfaqje, po me ato premtime që i kemi degjuar dhe në të kaluarën, për stadiume të rinj e parqe e fusha sportive të shumta që në fakt, deri tani, kanë mbetur si një relike e së shkuarës së largët, me shembull ilustrues Tiranën, që vazhdon të mbetet ende kryeqyteti i vetëm në botë që nuk ka ende një stadium të licencuar për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare futbolli të karakterit zyrtar!
Lësho këtu e lësho atje, si ajo lopa bajgën gjatë kullotës, edhe kandidatët për kryetarë bashkish me ato premtimet e tyre të hedhura në erë, nuk po lodhen së kërkuari votën për postin, që do të mund t’i bënte ata në të ardhmen sundues të vërtetë të këtij vendi. Nuk po zbulojmë ndonjë gjë të re me këtë rast, sepse përvoja e deritanishme këtë ka provuar, pikërisht përjetësinë e pushtetit të të pangopurve dhe të gjithë atyre sharlatanëve që nëpërmjet mashtrimit kërkojnë ta trajtojnë elektoratin si një turmë pa vetëdije! Ndërkohë, dukuria në fjalë është bërë aq e pacipë nëpërmjet ca njerëzish lakej e maskarenj, të cilët si zvarranikë nuk lodhen së bredhuri e lajkatuar me forma nga më të shëmtuarat, për t’ua rrëmbyer me çdo kusht votat e çmuara zgjedhësve të turbulluar nga e gjithë kjo fushatë zhurmuese.
Sikur të mos mjaftonte kjo trysni zgjedhjesh, që po na paraqitet prej disa demagogëve si një risi europiane, plot kulturë dhe tolerancë, kur në fakt po na mbyt gënjeshtra, mashtrimi dhe gjithë këto premtime boshe, retrospektivë e një refreni të zgërlaqur shumëvjeçar, na vjen edhe ndeshja miqësore ndërkombëtare e kësaj të shtune ndaj Francës në Elbasan, ku tifozëve tanë, që vetëm Kombëtarja u ka mbetur nga ky futboll i braktisur në vend, u ofrohen bileta me çmime aq të shtrenjta, sikur të bëhej fjalë për finalen e Ligës së Kampionëve të Europës!
Një politikë kjo krejtësisht larg interesave të një publiku, që fare ndryshe trajtohet gjatë kampionatit kur shpesh iu hapen dyert e stadiumeve dhe aplikohet hyrja pa biletë, vetëm e vetëm që ata të joshen për të mbushur tribunat, edhe kështu të boshatisura. Klima e krijuar gjatë këtyre ditëve, pas mbylljes së sezonit tonë futbollistik, ku dolën përsëri në skenë trukimet “e harruara”, apo ku po dëgjohet edhe më shumë këmbana e alarmit për shumë parregullsi, siç është moszbatimi i kontratave me lojtarë e trajnerë që po shohim të shkarkohen për çdo javë njëri pas tjetrit, e të tjera mungesa, sidomos në organizimin e klubeve ende pa status e pa ligje drejtimi, e bën më të turbullt dhe më të pashpresë këtë fushatë zgjedhjesh, që është duke u zhvilluar edhe në aspektin e të ardhmes së sporteve. Ndërkohë, elektorati i zhgënjyer nga kjo farsë e përsëritur, e di fare mirë se “mrekullitë” e premtuara prej politikanëve të dalë boje, me sa duket nuk do të mund të mbërrijnë kurrë në këtë vend, jo vetëm nga pamundësia e realizimit të tyre prej mashtruesve, por edhe nga që ato asnjëherë nuk mund të bien si dhuratë prej qiellit! /BalkanWeb
Nga Ahmet Shqarri