Zjarri qe (nuk) e shohim
Nga Flutura Açka
Nuk mjaftuan as njëzet ditë sakrifica për njëzet qytetarë shqiptarë, ish-të përndjekur politikë, të shkundin shpërfilljen tonë. Madje as akti i vetëflijimit të Gjergj Ndrecës e Lirak Bejkos.
Pikërisht sot, kur fanfarat do të lajmërojnë festën e fitoreve tona të përgjysmëta e të vakëta, ‘gëzimin’ tonë e përtym një zjarr, të cilin, ose nuk e shohim, ose bëjmë sikur nuk e shohim, ose bëjmë sikur nuk ka lidhje me ne.
Sigurisht zëri i të ngujuarve të grevës së urisë sot, në atë çadër që na kujton turpin tonë të indiferentizmit, do të vaket nga tam-tamet e propogandës së Integrimit, por nuk ia shlyen dot kësaj Shqipërie të lodhur njollën e këtij çnderimi publik të demokracisë së saj.
Mjafton ai zjarr, i komentuar ndonjëherë edhe me cinizëm, që si qytetare, si shkrimtare të solidarizohem me një kauzë të tillë qytetare, edhe pse jam kundër ndërmarrjeve dhe sakrificave të tilla ekstreme. Pavarësish motivimit politik, apolitik, ekonomik e përtejekonomik i grevës, besoj se ka vend për t’u marrë seriozish me ta dhe kërkesat e tyre.
E kam ndjekur gjithë këto ditë me një shqetësim njerëzor e qytetar fatin e atij grupi të vogël (por që padyshim përfaqëson një grup të madh) të ish-të dënuarve të ndërgjegjes, mes tyre skenën e djegies së Gjergj Ndrecës e Lirak Bejkos, zjarr i cili nuk besoj se ka lënë ndonjë shqiptar, në thelbin e tij si qytetar, pa e prekur.