Edhe këtë vit, mësim me dy turne për 30% të shkollave në Tiranë
Në shkollat kryesore në kryeqytet dhe jo vetëm, edhe këtë vit shkollor, nxënësit do të zhvillojnë mësim me dy turne. Ndonëse që në ditët e para të marrjes së mandatit Veliaj dha urdhër që të gjitha shkollat dhe kopshtet të ishin gati në 14 shtator, siç duket kjo gjë nuk është bërë e mundur.
Zhvillimi i mësimit me dy turne, përkon në dy arsye kryesore, së pari për shkak të fluksit të madh të nxënësve që duan të vazhdojnë procesin mësimor në një shkollë të caktuar dhe së dyti, për edhe për arsye se një pjesë e mirë e shkollave ende nuk kanë përfunduar rikonstruksionin.
Mësimi pasditeve do të bëhet si për shkollat 9-vjeçare, por edhe ato të mesme. Nëndrejtoresha e shkollës 9-vjeçare “1 Maji”, Entela Lika tregon se edhe këtë vit shkollor mësimi në këtë shkollë do të bëhet me dy turne.
Zakonisht është cikli fillor që zhvillon mësimin pasditeve. Nëpër gjimnaze janë kryesisht vitet e para dhe të dyta.
Ndërsa sipas burimeve në Drejtorinë Arsimore Rajonale, shumica e shkollave nuk janë rikonstruktuar dhe për këtë arsye mësimi do të bëhet edhe pasdite. Thuhet se do të vijojë mësimi me dy turne, për aq kohë sa nuk është ndërtuar asnjë shkollë e re.
Janë 30 për qind e shkollave në Tiranë, të cilat do të bëjnë mësimin me dy turne dhe do të jenë nxënësit e klasave fillore që do kryejnë procesin mësimor pasditeve.
Problemi i shkollave me dy turne është ngritur çdo vit, por ende nuk ka një zgjidhje konkrete për çështjen në fjalë, e njëjta situatë që përsëritet prej vitesh. Në urdhrin e nxjerrë nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Mirëqenies Sociale, është përcaktuar data e nisjes së vitit të ri shkollor, datat e pushimeve, si edhe periudha e nisjes së provimeve të lirimit dhe maturës. Në urdhrin e nxjerrë është përcaktuar se mësimi do të nisë më 14 shtator si për shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme.
Për arsimin bazë, mësimi fillon më 14 shtator dhe mbyllet më 10 qershor, ndërsa për atë të mesëm përfundon një javë më vonë, pra 17 qershor.