Erasmus Mundus, Kongresi Rinor Kombëtar dhe Unioni Europian i Studentëve, mbështesin protestën e studentëve
Studentët e universiteteve shqiptare vazhduan dhe sot protestën e tyre përpara Kryeministrisë.
Pavarësisht thirrjeve të shumta për dialog nga ana e Kryeministrit, studentët vazhdojnë të kërkojnë plotësimin e 8 pikave të cilat u janë dërguar dhe me shkrim institucioneve përgjegjëse si Kuvendi, Kryeministria, dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve.
Protesta është mbështetur nga studentët shqiptarë që studiojnë jashtë vendit dhe nga studentë të universiteteve private në vend. Janë të shumta postimet në rrjete sociale ku studentë shqiptarë nëpër botë solidarizohen me kërkesat e studentëve shqiptar.
Kongresi Rinor Kombëtar, i cili mision kryesor ka mobilizimin e organizatave rinore dhe fuqizimin e të rinjve në Shqipëri, është solidarizuar me studentët me anë të një deklarate për shtyp.
“Si të rinj, ne kemi qëndruar jashtë dyerve të Ministrisë dhe Kryeministrisë e sot të Parlamentit duke përfaqësuar veten tonë, të afërmit dhe miqtë sepse po vuajmë të njëjtën barrë studentore. Si Kongres ne kemi qenë një ndër palët më të forta kundërshtuese të Ligjit për Arsimin e Lartë, dhe sot, 4 vite më vonë, shikojmë pasojat e një veprimi jo të mirë menduar nga politikëbërësit”, thuhet në deklaratë.
Në mbështetje ka dalë dhe Unioni i Studentëve Europianë, një organizatë ombrellë për organizatat studentore të Bashkimit Europian nëpërmjet një deklarate. Në deklaratë thuhet se Unioni i mbështet të 8 pikat që studentët shqiptarë kanë kërkuar ndaj Qeverisë.
Edhe shoqata Erasmus Mundurs, një nga organizatat më të mëdha në botë për studentët e programit Erasmus, ka shprehur mbështetjen e saj kundrejt studentëve shqiptarë.
“Shoqata Erasmus Mundus (EMA) solidarizohet me studentët shqiptarë, që po protestojnë kundër tarifave të larta, që kanë sjellë ulur aksesin e studentëve në arsimin e lartë cilësor.
Duke pasur parasysh efektet e tjera që sjell një vendim i tillë, EMA inkurajon cdo person që ndikon në marrjen e vendimeve pozitive në këtë drejtim. Kur zërat bëhen së bashku, ata mund të dëgjohen më shumë”, thuhet në deklaratë. /k.j
Burimi: Citizens Channel