Korrupsioni, fenomen shqetësues dhe për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian

Greqia ishte shteti anëtar i Bashkimit Evropian që pa rënien më të madhe në renditjet vjetore që mat perceptimet e korrupsionit në të gjithë botën. Ajo ra tre pikë në një vit dhe është një nga pesë vendet e bllokut që konsiderohet të jetë më shumë e korruptuar.
Transparency International në renditjen vjetore të shteteve të botës në bazë të perceptimeve të korrupsionit, listoi Bullgarinë si shtetin anëtar të Bashkimit Evropian ku korrupsioni ndihet më shumë. Greqia është e dyta në renditje, e ndjekur nga Hungaria, Rumania dhe Kroacia.
Dr Anna Damaskou, përfaqësuese e Transparency International nga Greqia, deklaroi se skandali i firmës farmaceutike Novartis, zbuloi afera të mëdha korruptive ku përfshiheshin dhe politikanët në Greqi dhe ishte ky skandal, por edhe shumë raste të tjera që sollën një rënie të Greqisë në listën botërore.
“Fakti që nuk ka ende një hetim konkret apo vendim gjykate për rastin, tregon se vendi është i zhytur në një re të zezë” – deklaroi ajo për Euronews.
Në anën tjetër të klasifikimit, shtetet më pak të korruptuara në BE rezultojnë Danimarka, Finlanda dhe Suedia, pavarësisht se dhe këto shtete kanë humbur disa pikë vazhdimisht gjatë 5 viteve të fundit.
“Me shumë institucione demokratike nën kërcënim anembanë globit, shpesh të rrezikuara dhe udhëheqësit me tendenca autoritare ose populiste, ne duhet të bëjmë më shumë për të forcuar kontrollet dhe balancat dhe për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve”, tha Patricia Moreira, drejtoreshë e TI.
“Korrupsioni dëmton demokracinë duke prodhuar një cikël vicioz, minon institucionet demokratike dhe, nga ana tjetër, institucionet e dobëta janë më pak të afta për të kontrolluar korrupsionin”./k.j
Burimi: Euronews