Dita e sotme duhet të shënonte rikthimin e studentëve në auditore pas periudhës së pushimeve të festave, por mesa duket rezistenca studentore do të vazhdojë.
Është diskutuar gjatë javëve të fundit mbi problematikat qe mbeten ende të pazgjidhura e studentë kanë vendosur për të vazhduar bojkotin e për tu mbledhur në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në orën 10:00.
Protesta pritet të vazhdojë deri në orën 16:00 ku studentët do diskutojnë më pas si do të vazhdojnë me qëndresën e tyre.
Klajdi Bello, një nga studentët protestues, ka postuar një video në faqen e tij në Facebook, teksa një student është duke gozhduar derën e një prej Fakulteteve.
Në protestën e sotme, studentët kanë ftuar të gjithë qytetarët që duan të protestojnë për të drejtat e tyre.
Pavarësisht disa vendimeve të Këshillit të Ministrave si dhe paktit për Universitetin të propozuar nga qeveria, studentët kanë paralajmëruar se nuk do të bëjnë kompromis dhe se do të kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre, jo me VKM, por me votë në parlament. Sipas studentëve, drafti për universitetin nuk është i plotë dhe i saktë, ndaj edhe protestat do të vazhdojnë. /k.j