Vendimi i qeverisë nuk ndalon thirrjet për vazhdimin e protestave
Kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për mediat ditën e djeshme, pas mbledhjes së qeverisë që kishte në fokus vetëm çështjen e studentëve dhe kërkesat e tyre. Me VKM të posaçme qeveria ka vendosur për plotësimin e kërkesave.
Kështu janë përcaktuar kategoritë e individëve që përfitojnë ulje të tarifës së studimit. Rama deklaroi se tarifa do të ulet 100% për gjithë ekselentët të cilët do të kenë bursë. Bursa rritet në 100 mijë lekë në muaj dhe ekselenca zgjerohet nga vetem 10 tek mbi 9.
Po kështu kryeministri njoftoi se tarifa do të ulet 100%, plus do të ketë bursë të shtuar për studentët me ndihmë ekonomike dhe grupet në nevojë. Për studentë e tjerë do të paguhet 50% e tarifës, ndërkohë që nga shtatori, që të mbajnë 50% bursën studentët duhet të kenë mesatare mbi 6.
Gjithashtu tarifat pritet të përgjysmohen dhe në master dhe lidhur me transparencën në institucionet e arsimit të lartë, kryeministri u shpreh se do të krijohen struktura për kontrollin. Afati për realizimin e premtimeve u vendos muaji prill 2019.
Ndërkohë që vendimi i qeverisë pritej t’i jepte fund protestave, studentët përmes rrjeteve sociale kanë filluar të diskutojnë mbi zhvillimet në Janar. Në krah të tyre janë dhe pedagogët e së bashku po kërkojnë të shfuqizojnë Ligjin për Arsimin e Lartë, i cili vazhdon të përkrahet nga qeveria.
Ende s’ka nje vendim të unifikuar mbi vazhdimin e protestave në janar apo kthimin në auditorë. Pritet muaji janar dhe kthimi i studentëve në Tiranë, për marrjen e një vendimi të përbashkët./k.j