Asambleja e parë transnacionale e lëvizjes feministe që kundërshton të djathtën ekstreme

“Ni una menos” (asnjë më pak) ishte kryefjala në Argjentinë, gjatë valës së protestave kundër femicidit të vitit 2015 dhe më vonë u bë motoja, që do të bashkonte disa demonstrata feministe në Poloni, Francë, SHBA, Itali dhe shumë vende të tjera. Kohët e fundit, 400 anëtarë/e të lëvizjes nga e gjithë bota, u takuan në Verona. Ndërkohë që më parë, ka pasur vetëm kontakte individuale ndërmjet aktivistëve nga vende të ndryshme.
Kjo paraqet një hap të rëndësishëm në ndërtimin e një rrjeti më formal. Çështjet që i bashkojnë ato nuk janë vetëm feminizmi, por edhe diskriminimi, dhuna gjinore dhe sulmet e grupimeve të djathta, të cilat ndodhin vazhdimisht në të gjithë botën. Mbledhja u zhvillua ditën pas marshimit kundër Kongresit Botëror të Familjeve, i cili u organizua nga “Non una di meno” dhe numëronte më shumë se 30.000 njerëz.
“Ne nuk jemi të gatshëm të bëjmë më kompromis, nuk jemi këtu për të rezistuar, por për të ndryshuar status quo-në”, theksoi një prej anëtareve të lëvizjes, Francesca Milan.
Takimi “Non una di meno”, pati dhjetra folëse, përfshirë dhe Marta Dillon, themeluesen e grupit origjinal argjentinas “Ni una menos”.
Prania e aktivistëve nga Polonia, Rusia dhe Bjellorusia, ishte e lartë, në kontrast me pjesëmarrjen aktive të përfaqësuesve të qeverive të tyre në Kongresin Botëror të Familjeve.
Ndër të tjera, asambleja hapi një diskutim mbi përfaqësimin e mundshëm politik të lëvizjes. /l.k/