Gjykata franceze pezullon vendimin për ndalimin e burkinit
Gjykata më e lartë administrative e Francës vendosi të pezullojë aktet e disa bashkive franceze që kanë ndaluar veshjen e kostumeve të banjos që mbulojnë nga koka tek këmbët gratë myslimane që dalin në plazh. Përpjekjet e Francës për të ndaluar veshjen me burkini kanë shkaktuar polemika në shkallë ndërkombëtare.
Gjykata administrative, e njohur si Këshilli Shtetëror, e mori vendimin sot, pas ankimimit të paraqitur nga Liga Franceze për të Drejtat e Njeriut, e cila ngriti pretendimin se ndalimi i burkinit ndërhyn tek të drejtat civile të grave për t’u veshur si të duan në plazhet franceze.
Një numër qytetesh bregdetare, përfshirë edhe bregdetin e Rivierës Franceze kanë ndaluar kohët e fundit burkinit me arsyetimin se shkelin ligjet për laicizmin në Francë.
Vendimi i sotëm i gjykatës është thjesht një prononcim i gjykatësit se çështja kërkon vëmendje urgjente dhe është e nevojshme të pezullohen veprimet e bashkive që kanë ndaluar burkinit, deri në shpalljen e një vendimi ligjor lidhur me ligjshmërinë e këtyre akteve bashkiake.
Ndalimi i burkinit në një numër qytetesh franceze u bë në një kohë që vendi ende i ka të gjalla kujtimet tronditëse të sulmeve të 20 muajve të fundit.
Najat Vallaud Belkacem, ministrja franceze e arsimit, e lindur në Marok, paralajmëroi se debati mbi burkinin po i jep zemër retorikës raciste dhe po shfrytëzohet për lojë politike. Ajo thotë se është kundër burkinit, por nuk e pranon argumentin se ndalimi i burkinit është një mjet për të luftuar ISIS.
“Nuk është zbuluar ndonjë lidhje mes sulmeve terroriste të ISIS dhe veshjes së grave në plazh. Mendoj se këto masa për të ndaluar burkinin nuk janë të mira. Ato krijojnë problem dhe vënë në pikëpyetje të drejtat e individit deri kur vjen puna që do të vijë dikush të kontrollojë nëse kostumi i banjos përputhet me standardet e paracaktuara; por shton edhe retorikën raciste”.
Kryeministri Manuel Valls hodhi dje poshtë idenë se ndalimi i burkinit mund të shtojë mbështetjen për grupet ekstremiste, duke i bërë myslimanët të ndjehen të margjinalizuar.
Ai thotë se ndalimi i burkinit është për të luftuar një simbol që personifikon nënshtrimin e gruas: “Fjala ‘burkini’ vjen nga bikini dhe burka. Ky për mua është simbol i skllavërimit të gruas. Nënkupton se prania e gruas në publik është diçka e turpshme, prandaj duhet ta mbulojmë gruan,” shprehet kryeministri francez Manuel Valls.
Por sipas anketave në shkallë vendi, ndalimi i burkinit gjen mbështetje të gjerë në opinionin publik francez./A.A.