Gruaja afgane, e vrarë padrejtësisht, bëhet arsye për tubime të mëdha
Para 5 ditësh një grua e quajtur Farkhunda, u shtri para këmbëve të dhjetra burrave që po e godisnin dhe shkelmonin. Me fytyrën e fryrë dhe të gjakosur ajo po lutej për mëshirë. Por sulmuesit e saj që e akuzonin për djegje të Kuranit vazhdonin ta gjuanin tashmë edhe me gurë dhe drurë. Para se të merrte fund, trupi i Farkhundës u hodh nga taraca e një ndërtese, u shtyp nga një makinë dhe më pas ju vu flaka në brigjet e lumit Kabul.
Të dielën, arkivoli me trupin e Farkhundës u ngrit nga supet e disa grave afgane të veshura me të zeza. Këto gra morën një rol që zakonisht e mbajnë meshkujt, e përcollën arkivolin e Farkhundës në një ambjent të hapur lutjeje dhe më pas e çuan në varrin e saj.
“Farkhunda është një bijë e Afganistanit. Sot është varrimi i saj, nesër mund të jetë yni, ” thërrisnin ato, sipas gazetares së pavarur Courtney Body, e cila mori pjesë në funeral.
“Ne duam drejtësi për Farkhundën, ne duam drejtësi për gratë afgane. Të gjitha këto padrejtësi që u ndodhin grave afgane janë të papranueshme”, tha për Associated Press të dielën një aktiviste e shquar e cila njihet me emrin”Dr. Alima”. “Në cilën fe apo besim, është e pranueshme që të djegësh një person për vdekje? Sot është një ditë zie kombëtare dhe ne nuk do të heshtim. ”
Detajet e vrasjes së saj bëhen më të vrazhda çdo ditë e më shumë, ndërkohë që njerëzit ofrojnë tregime të ndryshme për motivet e turmës. Të gjithë bien dakord në një pikë, se të enjten, ajo filloi të zihet me një njeri që shet amulete përpara faltores së Shah-Do Shamshera. Ajo i konsideronte shitësit e amuleteve si parazitë, thanë miqtë dhe anëtarët e familjes për AP, dhe i bindtte të tjerët të mos i blenin ato.
Prej këtej, tregimet ndryshojnë. Sipas New York Times, një nga shoqëruesit e tempullit, Zain-Ul-Din, pohoi se Farkhunda hodhi faqet e Kuranit në një gropë me zjarr. Ai arriti të merrte disa faqe të djegura nga gropa dhe i vuri mbi një dërrasë.
“Gruaja ka djegur Kuranin e shenjtë. Një grua e pafe ka djegur Kuranin e shenjtë”, bërtiti ai, duke mbledhur një turmë njerëzish.
Farkhunda tha se nuk kishte djegur gjë – dhe më vonë autoritetet thanë se nuk kishin qenë në gjendje që të gjenin “as edhe një provë të vetme” që ajo i kishte vënë flakën Kuranit – por turma e injoroi atë. Ndërkohë që rrahja u bë më brutale, oficerët e policisë thuhet se u përpoqën të ndërhyjnë duke qëlluar për paralajmërim në ajër dhe duke u përpjekur që të tërhiqnin Farkhundën larg nga turma mbi një taracë ndërtese.
Të dielën, Presidenti i Afganistanit Ashraf Ghani caktoi 11 njerëz, duke përfshirë edhe aktivistë për të drejtat e grave dhe anëtarin e Parlamentit afgan Fawzia Koofi, në një komision për të hetuar vrasjen.
Thashethemet se Farkhunda e dogji Kuranin vazhdojnë edhe në ditët pas sulmit të saj. Sipas Reuters, në një fjalim në një xhami të Kabulit, një klerik lokal tha të premten se qeveria nuk duhet ti arrestojë ata që janë përfshirë.
Por gjenerali Mohammad Zahir, kreu i drejtorisë së hetimit kriminal të ministrisë së brendshme, tha në funeral ditën e diel se ai kishte shqyrtuar provat dhe arriti në përfundimin se Farkhunda ishte “krejtësisht e pafajshme.”
Duke folur me AP, vëllai i Farkhundës tha se historia e sëmundjes së saj mendore, ishte një teknikë mbrojtjeje e krijuar nga babai i tyre, i cili shpresonte se do të mbronte familjen, ndërsa do të largoheshin në një vend të sigurtë.
“Babai im ishte i frikësuar dhe e bëri këtë deklaratë të rreme për të qetësuar njerëzit,” tha ai për Reuters, duke shtuar se motra e tij ishte një mësuese e fesë islame.
“Ja ku ishte kjo grua e zgjuar, e devotshme dhe shumë e përkushtuar ndaj Islamit,” tha Fereshta Kazemi, një aktiviste dhe regjisore afgano-amerikane, në një intervistë telefonike me The Washington Post. “Ajo ishte pikërisht ashtu siç edhe konservatorët atje shtynin gratë e tjera që të jenë, dhe sërish ajo ka vdekur.”
Deri më tani, 13 njerëz janë arrestuar në lidhje me sulmin, dhe 13 oficerë policie janë pezulluar duke pritur hetimin.
Sipas Kazemit, sulmi – dhe përgjigjja ndaj tij – tregoi se sa intolerante ndaj debatit është bërë shoqëria afgane. Amuletet kundër të cilëve Farkhunda protestoi, janë një fenomen kulturor jo të rrënjosur thellë në tekstet islamike, dhe ajo dukej se po sfidonte rëndësinë e tyre fetare.
“Por për gratë në veçanti nuk është e lejuar të ngrenë zërin,” tha Kazemi. “Gratë janë të parat që mbajnë barren e rëndë të heshtjes.”
Body, gazetarja që mori pjesë në varrim, tha se dhjetra gra morën pjesë në funeral, duke e lëvizur arkivolin ngadalë. Një zinxhir meshkujsh të lidhur krahë më krahë rreth tyre, po i mbronte nga një turmë edhe më e madhe shikuesish. Disa nga gratë u bërtitën atyre burrave që shikonin.
“Ajo që ato po thoshin ishte kaq e sinqertë dhe kaq e vërtetë për mënyrën se si gratë trajtohen këtu,” tha Body. “Fakti që ato po u bërtisnin burrave në turmë, që ato po mbanin arkivolin mbi të gjitha, tregon se ato u shtynë me të vërtetë shumë nga kjo, sepse ajo që ndodhi ishte shumë ekstrem.”
Vrasja e Farkhundës duhet të jetë pjesë e një bisede më të gjerë rreth tolerancës, sundimit të ligjit dhe të drejtave të grave në Afganistan, shtoi Kazemi. Kjo bisedë – ashtu si dhe imazhi i dhjetra grave që thyejnë tabutë për të nderuar Farkhundën në funeralin e saj – do të ngushëllojë disi ata që tani po mbajnë zi.
“Ishin burrat ata që e rrahën, por janë motrat e saj që e varrosën,” tha Kazemi. “Ka shërim dhe fuqi në gjithë këtë.”
Për më shumë klikoni: www.washingtonpost.com