Fiks kështu nuk duhet!

Ky artikull është i pari i këtij lloji, dhe padyshim që jo i fundit duke parë rëndësinë që ka fjala dhe se si po gabohet në formimin e perceptimit publik. Praktikisht për këtë artikull u desh të shihja një emision të tërë për tu bërë 3 herë rresht me dhimbje koke në cepa të ndryshëm të kokës. Është e vërtetë që ne jemi një media LGBTQ+ dhe subjektiv në fjalën tonë, por duam të theksojmë shprehitë dhe konceptet specifike për të hedhur pak më shumë dritë se si një komunitet i tërë përgënjeshtrohet dhe keqkomunikohet. Gjithashtu më poshtë nuk ka asgjë personale me asnjë nga personat duke mos i njohur nga afër, por me citimet e tyre të pa nxjerra nga konteksti.
Së pari, po, na ka ardhur një ftesë për të qenë pjesë e emisionit dhe kemi refuzuar ftesën duke qenë se shumë prej nesh janë konsumuar nga këto biseda që çojnë në rrugë pa krye, për më tepër kur nuk kemi për detyrë të bindim askënd për asgjë.
Në ‘’Shije shtëpie’’ në Klan dje në mëngjes në një panel me Teuta Borova (turiste profesioniste), Olsi Abazi (producent), Linda Pano (pjesë e kishës Ungjillore) dhe Ermelinda Ndoja (gazetare) të moderuar nga Katerina Trungu tema e diskutimit ishte ‘’A jemi gati për martesat brënda së njejtës gjini’’ (pa ? në fund). Problemi i parë është që në këtë panel nuk ka asnjë sociolog, psikolog, apo punonjës social, ose për arsyen se të gjithë këto persona që mund të kenë një mendim më të argumentuar apo të bazuar diku ndihen të shfrytëzuar, ose sepse nuk i gjejnë arsye të dhënit opinione, ose sepse bazuar në eksperienca të mëparshme mediat e kanalizojnë bisedën drejt zhurmës dhe asaj çfarë ata mendojnë se publiku do të dëgjojë. Kështu të gjithë këto të ftuar si më lart japin opinione duke ushtruar ‘’të drejtën e fjalës’’, duke ndërtuar një përshtypje se si gjithkush mund të flasë çfarë të dojë për një temë, pa asnjë lloj filtri e as bazash parimore, shkencore apo morale.
Marrë me rradhë, Teuta Borova si udhëtare profesioniste e cila duket e hapur, e qytetëruar dhe pranuese thotë që ‘’Në Shqipëri është e vështirë martesa sepse duhet të jesh komb i civilizuar’’, ‘’Mbase ka edhe njerëz që i bëhet monotone mardhënie me seksin e kundert, i pëlqen risi dhe rrinë aty’’.
Koment: Bashkë me gjithë mirënjohjen për mbështetjen e saj në mënyrën e saj, JO, Znj. Borova, JO! Të mësojmë secili të shohim punën tonë, dhe të kuptojmë që dashuria e tjetrit është punë për tjetrin. Dhe nuk është çështje monotonie seksualiteti e gjinia, është çështje ndjesish e identiteti, secili e kupton kur i piqen rrethanat.
Linda Pano pjesë e Kishës Ungjillore, ruajtëse e vlerave të familjes ‘’nënë-baba’’ thotë: ‘’Europa nuk duhet të na detyrojë për ligje që bien në kundërshtim me kulturën e traditat tona’’, ‘’Të birësuarit të një fëmijë nga një familje homoseksuale, privon fëmijën nga e drejta e të paturit nënë dhe baba’’, ’’Po jetojmë në kohën e diktaturave të minorancës ndaj mazhorancës’’
Koment: Bravo të qoftë kur thua ‘’Do ta dua me gjithë shpirt nëse djali im është homoseksual’’. Por e dashur Linda, dëshira e dikujt për tu martuar dhe për të patur një familje konform ligjit, e cila vjen bashkë me detyrat për ndarjen e pronës, prindërimin, gjendjen civile e shumë aspekte të tjera nuk është se se bie në kundërshtim me ndonjë traditë a kulturë të beftë shqipfolëse. Dhe nëse do t’i referohesh mitit të Rozafës për tradhëti vëllazërore, ndonjë ligji kanunor për nështrimin e gruas, apo ndonjë skene nga ndonjë filmi socialist ku burri ulej dhe priste gjellën gati në 4 pasdite, mund të vazhdosh.
Ki parasysh Linda, që në një vend dhe kohë ku ligji akoma nënkupton të drejtën dhe të duhurën, legjitimimi i martesave mes të njëjtës gjini do të krijonte edhe më shumë hapësira për të gëzuar disa të drejta dhe ligje të tjera që shkëputen nga mungesa e kësaj hallke. Nga këto gjyqet shpresoj të mos kesh nevojën për të patur një koment për gjithçka.
Të jesh e sigurt që kjo nuk është një tentativë për të shtuar familjet me prindër LGBTQ+, por një tentativë për ti krijuar çdokujt hapësirën për të ndjerë dashurinë dhe lirinë njëkohësisht. Ky koment vjen nga dikush që ka plot dashuri për të jëmën e të atin, por fëmijët kanë nevojëpër dashuri e jo korniza apo manuale.
Moderatorja e emisionit shprehet ‘’Ku e keni parë mospranimin, unë i kam parë çdoku, në televizion, ambiente pune, janë shumë mirë të integruar në shoqëri’’, ‘’Mos futen te çrregullimet mendore, kur në Amerikë në shkolla po vendosen kuti macesh për fëmijët që identifikohen si mace?’’, ‘’Pse t’ ja mohojme te drejtën për tu martuar, për të jetuar si të tjerët?’’, ‘’Çiftet homoseksuale nuk mund të bëjnë fëmijë’’.
Koment: Znj.Trungu, më beso që ne të integruarve mirë në shoqëri na duhet një pelerinë për tu maskuar, ndërsa të tjerë të integruar dhe pa pelerinë i duhet të kërcënohen, të jenë të papunë, të pa arsimuar, ose emigrantë. Kësa i thonë: ‘’Zgjidh sakrificën! :)’’.
Do ishte mirë që të mos merrnit role përcaktuese, as ti vinit emërtime se kush e çfarë është një çrregullim mendor. Krahas edhe të thënit fjalë si:’’të tjerët/ normale’’, edhe ne jemi të tjerët, edhe ne jemi normalë!
Çiftet homoseksuale mund të bëjnë fëmijë!
Olsi Abazi prapë i jep një lustër pranimi vetes por edhe thotë që:’’Është mosdëshirë për ti pranuar, në mentalitetin tonë është një apriori për të mos i pranuar’’, ‘’Shqetësimi im është se ku po shkon shoqëria dhe ku do të bazohen normat?’’, ‘’Të qenurit online më shumë, largesa nga feja dhe të kthyerit të njerëzve në punëtorë është një skemë të cilën unë nuk e reklamoj dhe e besoj, por duke e parë me ktë sy, kuptoj që po shkojmë drejt saj…’’, ‘’Ne që kemi flamujt e vlerave do të bëhemi një zë më i mbytur’’, ‘’Mendimet e mia janë të njejta me 80% të popullsisë’’.
Koment: për Z. Abazi nuk kam, se është e tepërt, por do doja të dija këto shifrat ku i ka gjetur?
Gazetaren nuk e harrova, por nuk shënova ndonjë gjë, sepse nuk tha gjë.
Ky artikull shkon i gjithi për secilin që merr përgjegjësinë të flasë për jetën e tjetrit qoftë në privat, publik apo media. Jini më të përgjegjshëm për fjalë specifike që shqiptoni dhe parashikoni çdo kontekst që ato mund të marrin në grupe të ndryshme shoqërore, dhe rivlerësoni pozicionin tuaj. Pyesni veten më thellë se pse ju jeni njeriu i duhur për të dhenë një opinion, bazuar në çfarë njohurish? /Historia Ime
Referenca: https://www.economist.com/united-states/2022/10/20/no-american-schools-are-not-encouraging-pupils-to-identify-as-cats
https://www.youtube.com/watch?v=D1MxbQCe5bo
https://www.youtube.com/watch?v=Qhlkh-CTmFo&ab_channel=ThisMorninghttps://www.youtube.com/watch?v=D1MxbQCe5bo