“Më kujto”, Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve
Pak njerëz e dinë që 1 tetori është Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve. Kjo festë jo shumë e vjetër në moshë, është vendosur për herë të parë në vitin 1990, nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Fotografi në ambjentet e qendrës rezidenciale “Shtëpia e të Moshuarve”
Në botë, kjo ditë festohet duke rritur ndërgjegjësimin për çeshtje si abuzimi ndaj të moshuarve apo të drejtat e tyre. Por është gjithashtu një ditë për të vlerësuar kontributin që mosha e tretë ka dhënë për shoqërinë.
Çdo vit për Ditën e të Moshuarve, ngrihet zëri për një temë të caktuar. Tema e këtij viti është ndërgjegjësimi për “Qëndrueshmërinë dhe përfshirjen e moshës së tretë në mjedisin urban”.
Plakja e popullsisë është një problem global i shoqërisë moderne. Sipas studimeve, popullsia e moshuar në botë, mbi 60 vjeç, është duke u rritur me shpejtësi dhe mendohet se në vitin 2050, rreth 80 % e njerëzve të moshuar do të jetojnë në vendet më pak të zhvilluara.

Znj. Monika Noka, banuese në “Shtëpinë e të Moshuarve”
Edhe në Shqipëri, sipas raportit për vitin 2014 të INSTAT, numri i të moshuarve mbi 65 vjeç, rezulton 5% më i lartë se 2001, duke vazhduar trendin e pandalshëm të plakjes së popullsisë. Në vitin 2014 në vendin tonë, të rinjtë (0-14 vjeç) zinin 18,9 %, ndërsa në vitin 2001, zinin 29,3 % të popullsisë.
E kundërta ka ndodhur me moshën e tretë, 65 vjeç e lart, sipas INSTAT, në vitin 2014 zënë 12,2 % të popullsisë gjithsej apo 5% më shumë se në vitin 2001.
Përsa i përket qendrave të kujdesit për moshuar, sipas listës që janë nën mbikqyrjen e Inspektoriatit të Shërbimeve Shoqërore, në Shqipëri ka 23 qendra. 16 janë qendra jo publike dhe 7 janë qendra publike.
Një ndër këto qendra është edhe Shtëpia e të Moshuarve në Tiranë, ku banojnë rreth 50 të moshuar. Ata paguajnë 40% të pensionit të tyre për akomodimin, ushqimin, shërbimin shëndetësor dhe atë higjeno sanitare në qendër.
Ndoshta azili nuk është dëshira e prindërve, apo gjyshërve tanë, por siç na thotë edhe një ndër personazhet që do të dëgjoni në emision, është zgjidhje për të zgjidhur problemin e fundit.
Klikoni më poshtë për të dëgjuar emisionin e plotë.