27 mijë nënshkrime i dorëzohen Aleksandër Vuçiç për Europride

Organizatorët e EuroPride – i cili është ndaluar- i kanë dorëzuar qeverisë një peticion me 27,000 nënshkrime, duke i kërkuar presidentit Aleksandër Vuçiç dhe kryeministres Ana Brnabiç që të “bëjnë të mundur mbajtjen e EuroPride 2022 siç është planifikuar”.
Ata kanë thënë se do të mblidhen pavarësisht ndalimit të policisë, pasi kanë paralajmëruar rrugën e re për marshimin, nga Gjykata Kushtetuese në qendrën sportive Tasmajdan në Beograd, ku më vonë do të mbahet një koncert muzikor.
“Ne këmbëngulim që EuroPride të mbahet në formatin që parashikuam; nuk pati asnjë incident gjatë katër ditëve [të javës së Krenarisë]. Jemi vënë në një situatë ku nuk kemi zgjidhje tjetër; pavarësisht ndalimit të policisë, ne do të mblidhemi,” -tha Goran Miletiç, një nga organizatorët për BI.
Ai tha se kishin dorëzuar sërish një kërkesë në polici për një tubim në natyrë të shtunën.
“Ne do të kalojmë pranë Gjykatës Kushtetuese dhe do të përpiqemi të paraqesim sërish kërkesë në Gjykatën Kushtetuese sot”, -tha Miletiç, duke iu referuar faktit se Gjykata Kushtetuese ka shpallur katër herë ndalimin e Paradës së Krenarisë si antikushtetuese.
Rreth 45 OJQ serbe kanë kërkuar nga institucionet shtetërore që të mbështesin lirinë e tubimit për anëtarët e komunitetit LGBTIQ+, u njoftua të premten.
Qeveria ndaloi të martën marshimin e planifikuar, duke përmendur një “rrezik dhune” pasi grupet e krahut të djathtë, anti-LGBT njoftuan se do të marshonin gjithashtu nëpër kryeqytet në të njëjtën ditë. Policia ndaloi gjithashtu protestat e krahut të djathtë.
Vendimi pasoi javë të tëra agjitacioni anti-LGBT nga Kisha Ortodokse Serbe dhe grupet e krahut të djathtë.
Disa grupe të krahut të djathtë gjithashtu paralajmëruan protesta të shtunën, megjithëse policia ka ndaluar edhe tubimet e tyre. Në rrjete të ndryshme sociale, njerëzve u është bërë thirrje që të mblidhen para disa kishave. Mbledhja kryesore është planifikuar të mblidhet përpara kishës së madhe të Shën Savës në qendër të qytetit.
Një organizatë neo-fashiste, Srpska akcija, (“Veprimi serb”) të premten në grupin e saj Telegram u bëri thirrje njerëzve që të jenë në gatishmëri të shtunën.
Ambasadat e disa vendeve në Serbi ndërkohë shprehën mbështetjen e tyre të plotë për anëtarët e komunitetit LGBTIQ me rastin e EuroPride thanë se duhet të gjendet një zgjidhje që do të mundësojë një shëtitje paqësore, ligjore dhe të sigurt të shtunën, sipas një letër mbështetëse e shpërndarë nga ambasada holandeze në llogarinë e saj në Twitter.
Letra është nënshkruar nga ambasadat e Australisë, Austrisë, Belgjikës, Kanadasë, Kroacisë, Holandës, Finlandës, Francës, Danimarkës, Irlandës, Italisë, Japonisë, Holandës, Norvegjisë, Portugalisë, Sllovenisë, Spanjës, Zvicrës, Ukrainës, Britanisë dhe Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Vuçiq tha të premten se do të respektohet ligji dhe vendimet e Ministrisë së Brendshme për ndalimin e EuroPride, duke shtuar se nuk do të reagojë më për këtë temë, duke thënë se ajo është “imponuar në mënyrë korruptive”./ HistoriaIme