Dy fjalë për debatin për znj. Kusari-Lila

Nga Kristi Pinderi
Asnjë martesë, përfshi martesa e vëllait të një politikaneje, nuk është private! Martesat janë akt publik.
Ceremonia mund të jetë private, por marrëveshja e legjitimuar përmes martesës, në prani të dëshmitarëve dhe/apo të nënpunësit civil, ka një dimension publik që nuk mund ta mbajmë dot të mbyllur në bunker. Ndaj në shumë vende rekordet e martesave janë rekorde publike.
Por nëse lidhja në martesë e dy njerëzve pa asnjë funksion zyrtar – njëri prej të cilëve është thjesht vëllai i znj. Mimoza Kusari Lila – nuk përbën interes publik edhe pse është një marrëveshje publike mes çiftit në sy të shtetit edhe të shoqërisë, se çfarë mendon znj. Kusari Lila për martesat mes së njëjtës gjini përbën që c’ke me të interes publik, sado e padrejtë të jetë tërheqja me pahir e saj në këtë debat.
Pra ndonëse znj. Kusari Lila ka të drejtë të refuzojë të japë llogari për çështje personale, ajo nuk mund t’u shmanget qëndrimeve publike për tema që e tejkalojnë privaten. Sepse kjo është mirëfilli politikë.
A druhet ajo t’u japë një përgjigje gazetarëve ngaqë kërkon të mbajë jashtë luftës politike familjen e saj, apo është duke bërë kalkulimet e veta të marrëdhënies me publikun? Nuk e di!
Di vetëm që kjo ishte një mundësi e humbur, në mos për partinë që ajo përfaqëson, të paktën për atë vetë për të udhëhequr votuesit e saj drejt një qëndrimi më koherent e më të hapur ndaj disa çështjeve që herët ose vonë do kërkojnë qëndrimin e çdo force politike.
Pjesa tjetër e debatit pastaj, ka të bëjë me rolin e medias. Në vende si Shqipëria apo Kosova injoranca (jo ajo me konotacion negativ por thelbi i fjalës injorancë, pra padituria) kalon vetëm nëse populli ka kuriozitet për gjëra që nuk i njeh akoma. Për fatin tonë të keq, kuriozitetin e njerëzve media e shndërron në përshtjellim pasi e vesh me paragjykim.
Viktima e vërtetë në këtë rast nuk është as vëllai i znj. Kusari Lila, besoj unë, as ajo vetë. Ajo që humbet nga kjo histori është shoqëria kosovare. Ajo humbet mundësinë për të patur një debat të shëndetshëm. Një debat që nuk duhet provokuar duke bërë kokë turku disa individë pa funksion politik, ama nuk duhet as që të fiket ngaqë motra e njërit prej atyre individëve refuzon të thotë nëse e përkrah apo jo vendimin e vëllait të vet, aspekte të jetës së të cilit – me apo pa dashjen e tij – jane tani padiskutim ne fokusin publik.