është diagnozë, jo ofendim!

Ndonëse në kulmin e zhvillimit social, teknologjik, industrial e jo vetëm, shoqëria shqiptare ende ka vështirësi në pranimin dhe në trajtimin me respekt të personave që nuk janë neurotipikalë.
Pavarësisht mendimit dhe shpresës se ndoshta një ditë njerëzit do të mund të ndërgjegjësoheshin në lidhje me sëmundjet mendore, si dhe sindromen down dhe autizmin, ende sheh në media dhe rrjetë sociale përdorimin e termave, down, autik, skizofren dhe psikopat.
Komente të tilla, sigurisht që shumica prej nesh i merr si të mirëqena. Të thuash down, psikopat, autik, skizofren është njëlloj si të kesh thënë debil, për një pjesë të madhe. Përtej ironisë, debilat nuk kurohen, nuk u bëhet jeta ferr dhe as nuk vuajnë duke u ndierë ndryshe.
Sigurisht që përdorimi i këtyre fjalëve e ka burimin te stigma dhe turpi sa u përket problemeve të shëndetit mendor, apo autizmit dhe sindromes down te fëmijët.
Në vite të tëra sëmundjet mendore kanë qenë thellësisht të fshehura nga familjet apo komunitetet, të cilat individët I trajtonin si të “çmendur”. Ndërsa në media nuk kanë munguar as rastet kur persona me probleme të shëndetit mendor janë shfaqur të lidhur me mjete të ndryshme, kjo pasi kishin arritur në një pikë pa kthim.
Raste të tilla ka dhe do të ketë shumë, për sa kohë vizita te specialisti i shëndetit mendor të konceptohet si një udhëtim I frikshëm e i turpshëm drejt Jupiterit.
Me gjithë mundin e një pjese të caktuar të shoqërisë për t’i kthyer problemet e shëndetit mendor në një çështje normale që mund të diskutohet dhe mund të ketë një rrugë drejt zgjidhjes, ende ka persona që sëmundjet e mirëfillta nuk I kuptojnë si të tilla. Pra jashtë vullnetit të individit, por i shohin si zgjedhje të këtij të fundit për t’u sjellë në një formë të caktuar.
Nga ana tjetër edhe përdorimi I termave autik, apo down hap një tjetër plagë. Shumë è shumë familje në vendin tonë jetojnë dhe sfidojnë çdo ditë veten duke bashkëndarë jetën me fëmijët e tyre me aftësi të veçanta.
Duke e ditur se sa sfiduese është të rrisësh një fëmijë në vendin tonë, përdorimi I diagnozave që askush nuk i zgjedh për të përshkuar një sjellje që nuk na pëlqen është thellësisht jo njerëzore dhe shumë e tepërt. / Arjola Hajdini