INSTAT publikon rezultatet e Censusit. Risi pyetjet mbi gjuhen amtare, fene dhe grupet etno-kulturore
INSTAT bëri sot prezantimin e rezultateve kryesore të Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011. Gjatë kësaj ceremonie Drejtori i Përgjithshëm i INSTAT, Ines Nurja theksoi “Ky census u krye duke ndjekur rekomandimet dhe standardet europiane dhe INSTAT sot publikon të dhënat themelore statistikore socio-ekonomike për të ndërtuar politika të shëndosha për një jetë më të mirë të shqiptarëve. Madje këto të dhëna konform standardeve europiane do të japin kontributin e tyre në procesin e integrimit europian”.
“Gjej rastin këtu”, shtoi ai “të prezantoj disa nga rezultatet kryesore të këtij censusi”.
POPULLSIA – Nga rezultatet përfundimtare të Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011, rezulton se popullsia rezidente është 2 821 977. Numri total i refuzimeve është 21 839 persona. Siç shihet nga kjo panoramë, krahasuar me Censusin e vitit 2001 kemi një rënie të popullsisë banuese prej 8%. Ndaj analizat paraprake na dëshmojnë se emigracioni dhe lindshmëria janë dy faktorët kryesorë përgjegjës të rënies së numrit të popullsisë, të cilat kërkojnë analizë të hollësishme në të ardhmen.
RAPORTI GJINOR – Numri i femrave krahasuar me vitin 2001 ka pësuar një rënie prej 9.2% ndërsa ai i meshkujve me 8.3%. Raporti gjinor në Shqipëri kërkon një vëmendje të veçantë nga demografët dhe studiuesit. Për herë të parë në historinë e censuseve në Shqipëri, popullsia që jeton në zonën urbane e ka tejkaluar numrin e popullsisë që jeton në zonën rurale. Tashmë në zonën urbane jetojnë 53,5% e popullsisë ndërsa 46,5% e saj jeton në zonën rurale.
FAMILJA – Nga ana tjetër, numri i familjeve ka pësuar një rënie krahasuar me shifrat e censusit të mëparshëm. Sot numërohen 722 262 familje nga 726 895 që ishin në vitin 2001. Por struktura brenda familjes (numri i anëtarëve) ka patur një ndryshim të rëndësishëm. Mesatarisht sot një familje shqiptare ka 3.9 anëtarë nga 4.2 që kishte në vitin 2001.
Struktura demografike e Shqipërisë po ndryshon duke patur parasysh që nga këto rezultate kemi rënie të koeficientit të fertilitetit, rritje të popullsisë urbane, ndryshim në strukturën e popullsisë, në karakteristikat etno-kulturore, në nivelin e arsimimit, në kushtet e jetesës dhe në strehim.
BANESAT – Numri i ndërtesave për qëllime banimi në censusin e vitit 2011 është 598 267 dhe është rritur me 16.8% krahasuar me vitin 2001. Fondi i banesave rezulton në 1 012 400 banesa ku përfshihen jo vetëm banesat e banuara por edhe ato të pabanuar që përbëjnë 29.8% të totalit në krahasim me 11.3 % në 2001.
MIREQENIA – Jo vetëm fondi i banesave është rritur në krahasim me vitin 2001 por dhe kushtet e jetesës në to kanë ardhur duke u përmirësuar përsa i përket aksesit në shërbimet bazë si dhe zotërimit të pajisjeve afatgjatë. Në ndryshim nga censusi 2001, lidhur me karakteristikat e kushteve të banesës INSTAT disponon edhe të dhëna mbi telefoninë fikse dhe mobile të cilat i gjeni në këtë publikim.
Një tjetër risi e këtij censusi ishte përfshirja e pyetjeve mbi gjuhën amtare, fenë dhe grupet etno-kulturore. Këto të dhëna interesante do të japin një panoramë më të qartë të disa karakteristikave të popullsisë shqiptare të cilat u mungonin studiuesve prej një periudhe të gjatë kohe.
GJUHA – Po ti hedhim një vështrim të shpejtë, shohim se 98.77 % e popullsisë ka si gjuhë amtare shqipen. Më pas vijnë gjuha greke me 0.54 %, maqedonase 0.16 %, rome 0.14 % dhe arumune me përkatësisht 0.14 %.
BESIMI FETAR – Një tjetër e dhënë e cila do të analizohet më tej nga studiuesit është dhe ajo mbi përkatësinë fetare. Sipas vetëdeklarimit mbi përkatësinë fetare në censusin 2011, në territorin e Shqipërisë janë 56.70% muslimanë, 10.03 % katolikë, 6.75 % ortodoksë, 2.09 bektashinj, 0.14 ungjillorë. Ndërkohë që 5.49 janë vetëdeklaruar si besimtarë të pacilësuar dhe 2.5 % ateistë. Numri i atyre që kanë preferuar të mos përgjigjen kësaj pyetje është 13.79% të totalit të popullsisë.
ETNIA – Përsa i përket përkatësisë etno-kulturore, 82.58 % kanë deklaruar se janë shqiptarë të 0.87 % grekë, 0.30 % romë, 0.30 % arumunë dhe 0.20 % maqedonas. Numri i mospërgjigjeve në këtë pyetje përbën 13.96 % e totalit të popullsisë.
REFUZIMET – Një tjetër analizë me mjaft interes do të ishte shpërndarja e numrit të refuzimeve (13.96 %) dhe përgjigjeve të pa vlefshme apo të papërcaktuara (1.58 %) lidhur me përkatësinë etnokulturore. Po tu referohemi këtyre shifrave, rezulton se 99.6 % e tyre kanë deklaruar gjuhë amtare shqipen, 0.15 % gjuhen greke, 0.04 % rome, 0.04 % arumune dhe 0.03 % maqedonase.
ARSIMI – Një vend të rëndësishëm në këtë publikim zë dhe niveli i arsimimit të popullsisë. Po tu referohemi shifrave, vërejmë se në popullsinë 10 vjeç e lart, 96,2 % tyre e kanë ndjekur ose janë duke e ndjekur shkollën. Në censusin e vitit 2011 bën dallim ndjekja e sistemit universitar dhe pasuniversitar nga 10.7% të popullsisë 10 vjeç e lart, tregues i cili në vitin 2001 ishte 5.5%.
AFTESITE E KUFIZUARA – Për herë të parë në një census është pyetur edhe për aftësinë e kufizuar të popullsisë. Këto të dhëna do të shërbejnë në të ardhmen për të bërë vrojtime më të specifikuara si dhe për të ndërtuar politika mbështetëse në funksion të kësaj kategorie personash.
“Unë me të vërtetë shpresoj se këto të dhëna do të jenë shumë të dobishme për të interpretuar ndryshimet e vendit tonë dhe do të shqërbejë si bazë për të ndërmarrë aksionet e duhura për një zhvillim të qëndrueshëm të Shqipërisë në të ardhmen.” ka përfunduar komentin e tij z. Nurja, dhe më pas vazhdoi me falenderimet.