Klima politike në vend rëndohet dhe më tej me dekrete pjesërisht të njohura e të kontestuara të Presidentit, mungesën e dialogut midis forcave politike dhe paqartësi për procesin zgjedhor të ditës së dielë dhe atë çfarë pritet të ndodhë pas 30 qershorit.
Ditën e djeshme, pas konsultimit me partitë opozitare, Presidenti dekretoi datën e re të zgjedhjeve me 13 tetor, duke risjellë në vëmendje nevojën për dialog dhe për tejkalimin e krizës politike për hir të stabilitetit të vendit.
Dekreti u përshëndet nga partitë e vogla, ndërkohë që qeveria nuk e njeh si të vlefshëm, duke ndjekur dhe arsyetimin e Kolegjit Zgjedhor i cili njeh 30 qershorin si datë zgjedhjesh për qeverisjen vendore.
Dekreti nuk u mor në shqyrtim as nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditën e sotme, duke u konsideruar si i pavlefshëm e në të njëjtën linjë mendimi janë dhe vëshguesit ndërkombëtar të akredituar në Tiranë, misioni i monitorimit të OSBE dhe Departamenti Amerikan i Shtetit.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Matthew Palmer tha se Shtetet e Bashkuara njohin datën 30 qershor si ditën e zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri.
Në kundërshtim me 30 Qershorin dhe mbajtjen e zgjedhjeve pa krijimin e një qeverie kalimtare, vijon të mbetet Opozita e bashkuar e kryesuar nga Partia Demokratike, aktivistët e së cilës dhe kryebashkiakët e njësive të qeverisura aktualisht nga PD, deklaruan se do përdorin çdo metodë demokratike për ndalimin e zgjedhjeve, duke bërë thirrje për bojkot të gjerë nga ana e qytetarëve.
Retorika vijon të ashpërsohet kur në prag të mbylljes së fushatës elektorale, Kryeministri Edi Rama deklaron se krimi zgjedhor do dënohet ashpër me ndryshimet e reja në kodin penal, duke u ndaluar qytetarëve që pengojnë procesin zgjedhor mundësinë e daljes jashtë vendit.
Situata vijon e tensionuar dhe në disa KZAZ në vend. Në Vaun e Dejës ditën e djeshme u dogj KZAZ-ja nr.6 në shkollën “Ndre Mjeda” nga protestues që hodhën bomba molotov dhe dëmtuan materialet zgjedhore. Policia ka arrestuar 14 persona të dyshuar, ndërkohë që opozita u distancua nga ngjarjet e Vaut të Dejës.
Ditën e sotme, në mbledhjen e saj të rradhës njëkohësisht KQZ vendosi zhvendosjen e disa qendrave të votimit në Kukës nga shkolla në ambjente private, ndërsa protesta pranë KZAZ-ve janë lajmëruar në Shkodër, Kamëz dhe Kukës gjatë pasdites së sotme.
Dita e nesërme është zyrtarisht heshtje zgjedhore, por priten të vijojnë përpjekjet për ndalimin e procesit zgjedhor dhe shpërndarjes së materialeve në qendra votimi.
Shumë shtete kanë rritur paralajmërimet e sigurisë për udhëtimin e shtetasve të tyre në Shqipëri gjatë fundjavës dhe ditëve në vijim, ndërkohë që të shumta janë dhe paqartësitë mbi çfarë pritet të ndodh të dielën dhe në ditët në vijim.
Vijon..