Romët e strehuar në shkollën “Misto Mame”: “Nuk e dimë çfarë do të bëhet me fatin tonë”
Për shkak të përmbytjeve në zonën e “Babrroit”, 25 familje të komunitetit Rom janë strehuar me urdhër të prefektit të Tiranës në palestrën e shkollës 9-vjeçare “Misto Mame”.
Por ata tregojnë se gjatë tre ditëve që gjenden aty, janë ushqyer vetëm një herë. Duke thënë se askush nga institucionet publike nuk është interesuar për ta.
Fëmijët shprehen se janë të uritur dhe për herë të fundit janë ushqyer një ditë më parë “Dje kam ngrënë për herë të fundit, hëngra djathë bebe dhe salçiçe dhe kaq. Sot nuk kam ngrënë asnjë gjë”.
“Pa bukë jemi, na kanë sjellë vetëm dje të hamë. Kushtet janë shumë të vështira, më të vështira sesa atje ku ishim. Na kanë sjellë dy simite, tre salçiçe dhe dy bidona ujë, këta nuk na lënë të dalim, të paktën të lypim që të hamë. Tre ditë nuk kanë ardhur fare, na kanë lënë këtu, nuk interesohen për ne.”- shprehet njera prej banoreve.
Një tjetër shqetësim që ata kanë, është se çfarë do të ndodhë me fatin e tyre pasi të mbarojë afati 3-ditor për të qendruar në palestrën e shkollës “Misto Mame”. Sipas banorëve, askush nuk i ka thënë se çfarë do të bëhet me ta më vonë, pasi nga banesat e tyre nuk kanë mundur të shpëtojnë asgjë për shkak të vërshimeve të lumit.
“ Ne duam strehim për kalamajtë, nuk do vdesim për bukë, do ta gjemë nëpër kazanët e plehrave. Lumi na mori shtëpitë, jemi nëpër rrugë tani. Mos të na i kthejë kurrizin, njerëz jemi nuk jemi kafshë, na thanë edhe sot jemi këtu edhe do na heqin, nuk e dimë ku do na çojnë. Nuk duam të shkojmë tëk lumi, do na marri me vete.”- shprehen ata. /m.g
Burimi: BalkanWeb