Shtimi i krimeve, Shqipëria renditet e 12 në Europë
Një nga standardet e matjes së cilësisë së jetës është dhe shpeshtësia e krimeve dhe përmasat e tyre. Viti 2019 nisi në Shqipëri me një bilanc negativ vrasjesh e krimi brenda familjes.
Revista Monitor raporton se sipas portalit Numbeo, i cili merret me matjen e cilësisë së jetesës në vende të ndryshme të botës, situata në Shqipëri duket të jetë përkeqësuar.
Këtë vit, Shqipëria shënon 40.3 pikë nga 39.8 pikë që shënonte një vit më parë, duke kaluar nga një vend me nivel krimi të ulët në një vend me krim të moderuar. Për 2019-n, Shqipëria renditet e 12 në Europë për sa i përket krimit.
Në Ballkan vetëm Kroacia konsiderohet si një vend me një nivel të ulët krimi, ndërsa në Europë, qytetet me nivelin më të lartë të kriminalitetit janë Katania, Napoli dhe Torino në Itali.
Vendet me kriminalitetin më të lartë në botë janë vendet e Amerikës së Jugut, të cilat kanë shënuar mbi 80 pikë, si Brazili, Kolumbia, Venezuela, Honduras. Nivel të lartë të krimit kanë edhe disa vende të Afrikës së Jugut dhe Azisë, ndërsa vendi me nivelin më të ulët të kriminalitetit konsiderohet Japonia./k.j