Tragjedi në Norvegji, një person i armatosur shkakton terror në një bar LGBTQ

Vdekje dhe dëshpërim teksa një person i armatosur hap zjarr në barin e homoseksualëve në Oslo në ditën e paradës së Krenarisë
2 persona mbetën të vrarë dhe më shumë se 20 të tjerë u plagosën në një bar homoseksualësh në Oslo të Norvegjisë, pasi një person i armatosur filloj të qëllonte brenda barit.
Sulmi ndodhi në orët e para të së shtunës, në “London Pub”, një qendër e vjetër e komunitetit LGBTQ të Oslos.
Bili Blum-Jansen, i cili ishte në bar, tha se ai iku në bodrum për t’i shpëtuar breshrit të plumbave dhe u fsheh atje së bashku me 80 deri në 100 persona të tjerë.
“Shumë thirrën partnerët dhe familjen e tyre, u ndje pothuajse sikur po thoshin lamtumirë. Të tjerët ndihmuan të qetësoheshin ata që ishin jashtëzakonisht të tmerruar,” tha ai për TV2.
“Unë pata pak panik dhe mendova se nëse do të vinte agresori ose ata që gjuanin, do të kishim vdekur të gjithë. Nuk kishte rrugëdalje.”
Një i dyshuar, një shtetas norvegjez 42-vjeçar me origjinë iraniane, u arrestua disa minuta pasi filloi të shtënat, sipas policisë, që besonte se ai kishte vepruar i vetëm. Dy armë, duke përfshirë një armë plotësisht automatike, u gjetën në vendin e krimit.
“Ka arsye për të menduar se ky mund të jetë një krim urrejtjeje,” tha policia.
“Ne po hetojmë nëse Parada e Krenarisë ishte një objektiv në vetvete apo nëse ka motive të tjera”.
Dëshmitarë të tjerë përshkruan kaosin që shpërtheu brenda dhe jashtë barit, i cili ka qenë i hapur që nga viti 1979.
“Shumë njerëz po qanin dhe bërtisnin, të plagosurit po bërtisnin, njerëzit ishin të shqetësuar dhe të frikësuar – shumë, shumë të frikësuar,” tha Marcus Nybakken, 46 vjeç, i cili ishte larguar nga lokali pak para të shtënave dhe ishte kthyer më vonë për të ndihmuar.
“Mendimi im i parë ishte se kouniteti ishte objektivi, kështu që është e frikshme.”/ Historia Ime