Vendimi: Albchrome i diskriminoi e i shkarkoi minatorët për shkak të angazhimit sindikal
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në një vendim të tij pas shumë hetimesh, ka arritur në përfundim se Kompania AlbChrome, ka diskriminuar dy nga katër minatorët të cilët janë pushuar nga puna nga ana e kompanisë.
Ky shkarkim sipas komisionerit ka ardhur për shkak të angazhimit të minatorëve në Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB).
SMBB në një reagim për mediat, vlerëson vendimin e marrë duke e quajtur njëkohësisht të vonuar.
Si kompania AlbChrome, njëjtë dhe SMBB kanë deklaruar se do të apelojnë vendimin e marrë nga KMD, pasi e para e konsideron atë si të padrejtë, ndërsa për sindikatën është një vendim i pjesshëm, i cili duhet të përfshijë dhe minatorët e tjerë të larguar padrejtësisht nga puna.
Në fillim të protestave kundër kompanisë Albchrome dhe krijimit të sindikatës së re, kompania shkarkoi nga puna minatorin Elton Debreshi, i cili është dhe drejtues i Sindikatës, dhe më pas dhe tre anëtarë të Këshillit Sindikal, përkatësisht Beqir Duriçin, Behar Gjimin dhe Ali Gjetën
Më poshtë reagimi i plotë i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës:
KOMISIONERI PËR MBROJTJEN NGA DISKRIMINIMI: ALBCHROME KA DISKRIMINUAR DREJTUESIT E SMBB-së
Është bërë më shumë se një vit nga njohja ligjore e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Gjatë këtij viti SMBB-ja ka organizuar një sërë protestash, organizimesh dhe aktivitetesh, ku ka kërkuar përmirësimin e kushteve të punës, pagave dhe të drejtave të minatorëve.
Në përpjekjen tonë të drejtë dhe kaq shumë të munguar për minatorët, kemi patur pengesa dhe na janë bërë shumë padrejtësi: nga institucionet shtetërore, nga sindikatat e vjetra e të korruptuara dhe, veçanërisht, nga kompania Albchrome. Pa kaluar një javë nga shpallja e SMBB-së në qendër të Bulqizës, Albchrome pushoi nga puna në mënyrë të paligjshme dhe të padrejtë kryetarin e sindikatës, Elton Debreshin. Njëjtë vazhdoi edhe me tre anëtarët e këshillit sindikal: Beqir Duriçin, Behar Gjimin dhe Ali Gjetën.
Përveç protestave dhe bojkotit të punës që zgjati disa ditë, këtë paligjshmëri e kemi denoncuar te Inspektorati i Punës dhe Ministria e Financave. Këto të fundit e çertifikuan padrejtësinë, duke na treguar edhe njëherë që janë të kapura dhe korruptuara. Çështja e katër drejtuesve të SMBB-së tashmë është në gjykatë.
Njëra prej padive që kemi ngritur, përveç gjykatës, ka qenë edhe ajo drejtuar Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Pas shumë muajsh vonesë, edhe për shkak të situatës së pandemisë, KMD-JA KA DALË NË PËRFUNDIMIN SE DREJTUESIT E SMBB-së JANË DISKRIMINUAR NGA KOMPANIA ALBCHROME, PIKËRISHT PËR SHKAK TË ANGAZHIMIT SINDIKAL. Në këtë mënyrë i hapet rrugë kërkesës, në gjykatat brenda dhe jashtë vendit, për rikthimin në punë të sindikalistëve të pushuar nga puna.
Megjithëse ky vendim vërteton padrejtësinë që kemi denoncuar prej kohësh, ne nuk jemi plotësisht dakord me të duke qenë se nuk ka konstatuar diskriminim për të katërt drejtuesit e SMBB-së. Në mënyrë kontradiktore, diskriminim nuk është ‘‘konstatuar’’ pikërisht për Elton Debreshin, kryetarin e SMBB-së, i cili është identifikuar edhe më shumë për angazhimin sindikal. Për këtë arsye vendimi do të apelohet, derisa të arrihet në të vërtetën që dihet botërisht: që Albchrome i ka diskriminuar dhe pushuar në mënyrë të paligjshme të katërt drejtuesit e SMBB-së!
që na kanë ndihmuar dhe përfaqësuar në këtë çështje.
Organizimi dhe përpjekja jonë nuk do të ndalen jo vetëm sa të arrihet drejtësi për katër sindikalistët e pushuar nga puna padrejtësisht, por edhe sa të arrihen të drejtat e mohuara të të gjithë minatorëve prej dekadash.
Të bashkuar do të fitojmë!/ HistoriaIme