Nis gara për drejtuesit e Universiteteve, votat e studentëve vetëm 10%
Gara për zgjedhjen e drejtuesve të rinj në universitetet publike do të mbahen në datë 20 prill. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, gjatë një tryezë diskutimi me rektorët e universiteteve publike në lidhje me procesin e zgjedhjeve të autoriteteve dhe organeve drejtuese në institucionet e arsimit të lartë ka shpallur datën 20 prill për përfundimin e procesit zgjedhor.
Nikolla Nikolla: “Në këtë process vendos vota e profesorëve dhe studentëve”
“Ne besojmë fort tek universiteti, tek liria akademike, ndaj dhe shpresojmë që në fund të kemi një proces të drejtë, sipas ligjit të arsimit të lartë. Pas një procesi të ndershëm ku vendos vota e profesorëve dhe studentëve, ne do të kemi edhe njerëzit e duhur me të cilët do të bashkëpunojmë fort për të bërë të mundur atë që është kryefjala e punës sonë, një cilësi të re në institucionet tona të arsimit të lartë”, ka thënë ministrja Nikolla.
Studentët kanë vetëm 10%
Por sipasi ligjit për Arsimin e Lartë, votat e studentëve në përzgjedhjen e rektorit, dekanit, shefit të departamentit llogariten vetëm në masën dhjetë për qind.
Reagimi i Prof. Dhimitër Dokës i publikuar nga Lëvizja “Për Universitetin”
Vetë sistemi i lejon të korruptohen e të sillen si “otomanë” që sundojnë e komandojnë pashallëqet e tyre. Nuk bëhet fjalë për ”drejtim akademik e demokratik” nga “rektorë tenderash”, “rektorë bordesh” apo ”rektorë partiakë”. Me sjelljet e tyre otomane, ata si bajraktarë emërojnë, ç’emërojnë, dhunojnë e nëpërkëmbin dinjitetin, sipas “qejfit” të tyre nepotik, politik, klientelist apo abuziv. “Pashallëqet universitare” (dhe nuk janë pak, por plot 14) janë vendet më “ekzotike” për politikanët e pushtetarët, gjyqtarët, prokurorët etj., për të punësuar të afërmit e militantët e tyre, dhe kjo është arsyeja pastaj që në shumë raste këta bëjnë indiferentin për shumë denoncime të bëra ndaj rektorëve të ndryshëm. Shto këtu që një pjesë e mirë e tyre janë edhe ”mësimdhënës që edukojnë juristët e rinj “me “moral të lartë” e “dije të qëndrueshme”.
/l.k./