Opinion: “Reality Check” i deklaratave rreth protestës së studentëve

Nga ERVIN QAFMOLLA/ ‘REALITY CHECK’ I DEKLARATAVE RRETH PROTESTËS SË STUDENTËVE
1. Ka tentativa për të manipuluar/përçarë studentët.
E SAKTË: Strukturat rinore të partive politike, veçanërisht PD, janë infiltruar për ta përçarë protestën dhe për t’i dhënë asaj tjetër drejtim. Një pjesë e mirë e Këshillave Studentorë përbëhen nga militantë partiakë, duke qenë se janë formuar kur PD-LSI kanë qenë në pushtet. Duhet shënuar se Këshillave Studentorë u ka përfunduar mandati dhe nuk janë përtërirë, dhe si të tillë nuk kanë tagër institucional dhe moral për të përfaqësuar studentët.
2. Komunistët po manipulojnë studentët.
E PASAKTË: Kjo deklaratë që vjen nga partitë, satelitë të tyre apo qytetarë të painformuar, u referohet Lëvizjes Për Universitetin. E vërtetë që brenda kësaj lëvizjeje ka edhe studentë dhe veprimtarë të tjerë që mbajnë bindje politike të majta, jopartiake. Por Lëvizja përbëhet dhe përfaqësohet nga një bazë e gjerë studentësh të cilët përfaqësojnë një larmi bindjesh. Në fakt, përmes goditjes së Lëvizjes, operatorët partiakë tentojnë të zhbëjnë çdo oponencë të artikuluar të manipulimeve të tyre për keqpërdorim të protestës. Kërkesat historike të Lëvizjes prej disa vitesh kanë qenë kurdoherë për ulje tarifash, përmirësim të kushteve të institucioneve arsimore, rritje të buxhetit për arsimin, meritokraci akademike, përfaqësim real i studentëve etj. Si të tilla ato rezonojnë plotësisht me shumicën e kërkesave të sotme. Nëse do të ishte e vërtetë gënjeshtra që ata po manipulojnë studentët, atëherë ky “manipulim” do të ishte shumë pozitiv.
3. Arlind Qori është kryetar i Lëvizjes për Universitetin dhe kontrollohet nga Rama dhe ose Veliaj.
E PASAKTË: Edhe ky pretendim është ngritur gjithashtu nga partitë, specifikisht nga PD-ja. Lëvizja është horizontale. Qori, një pedagog majtist, është thjesht një anëtar i saj. Gjithashtu, përveçse kundërshtar publik i të dyve, ai është arrestuar në aksione kundër vendimeve të njërit apo tjetrit.
4. PD po përpiqet të instrumentalizojë protestën.
E VËRTETË: Ndërsa strukturat rinore të LSI dhe PS kanë mbajtur një profil më të ulët, por sërish problematik në protestën në fjalë, PD po tenton ta kanalizojë protestën drejt qëllimeve partiake. Orvatje të tilla janë veçanërisht të dukshme këto ditë pushimi, kur falë numrit më të ulët të pjesëmarrjes së studentëve, ata po përpiqen që të krijojnë tension dhe përçarje. Kjo ndodh përmes strukturave të tyre rinore në terren dhe gënjeshtrave në rrjete sociale dhe disa portale. Është edhe lojë numrash. Në njërën anë, kur nuk ka më mijëra studentë në shesh strukturat prej rreth 100 personash mund të jenë më të zëshme dhe të kenë më pak rezistencë përballë, duke manipuluar më kollaj. Nga ana tjetër, duke shtuar kërkesa çdo ditë, ata tentojnë pamundësimin real të pranimit të kërkesave themelore nga Ministria e Arsimit dhe qeveria. Si rrjedhojë, synohet që protesta të zgjatet pa fund, mos të ketë plotësim kërkesash dhe protesta të përshkallëzohet deri në destabilizim dhe idealisht në rrëzim qeverie. Kjo nuk ka për të ndodhur. Ky plan i ndërtuar keq që në letër, thjesht mund të sjellë zbehje të protestës dhe përçartje eventuale të saj, duke rrezikuar edhe vetë kërkesat fillestare, ku kryesorja mbetet Ulja e Tarifave.
5. Studentët kanë në dorë rezultatin e protestës.
E VËRTETË: Pavarësisht grupimeve të ndryshme brenda protestës, studentët, pavarësisht bindjeve të tyre, duhet që përmes forcës së intelektit dhe forcës në numra, të parandalojnë dhe të zhbëjnë çdo orvatje për manipulim, përçarje dhe destabilizim. Ky është një test edhe për ta, për pjekurinë dhe idealet e tyre.