Vendimi i ministrisë së Shëndetësisë: Shkollat rihapen në 16 janar
Siç pritej, ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë një urdhër të dytë për mbylljen e institucioneve arsimore parauniversitare dhe universitare në datat 9, 10, 11, 12, 13 janar.
Në njoftimin e ministrisë së Shëndetësisë thuhet: “Me qëllim kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit të gripit në vend për të mbrojtur popullatën nga sëmundjet infektive që kanë impakt në shëndetin e saj, Ministri i Shëndetësisë, në mbështetje të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 7, pika 4 (masa të veçanta) të Ligjit 15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, ka urdhëruar sot më datë 07.01.2017, mbylljen e çerdheve, kopshteve dhe institucioneve të arsimit parauniversitar dhe universitar në datat 9, 10, 11, 12, 13 dhe 14 janar 2017”.
Vendim për ditët pushim për punonjësit e administratës ka nxjerrë edhe Këshilli i Ministrave. Njëri nga prindërit kujdestarë të fëmijëve, që ndjekin ose jo çerdhet, arsimin parashkollor dhe arsimin fillor, që janë nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë të administratës publike, do të ketë mundësinë të jetë pushim deri në datë 13 janar.
Por nga ana tjetër, në median online kanë qarkulluar informacionet se kjo situatë “epidemie” është e stisur nga ana e qeverisë, pasi nuk ka fonde të mjaftueshme për të përballuar emergjencat civile.
Një tjetër aludim është për vaksinën e vonuar antigrip, thuhet se një kompani pranë ministrit Beqja ka importuar sasi të mëdha me vaksina. /m.g/