ISHP, Bashkisë Tiranë: “Siguroni ujë 24 orë, më pas hiqni depozitat”
Instituti i Shëndetit Publik ka përshëndetur nismën e Bashkisë Tiranë për të hequr depozitat nga tarracat e pallateve, por i ka rekomanduar Veliajt që fillimisht të sigurojë ujë 24 orë për qytetarët, më pas të vijojë aksionin për çmontimin e tyre.
Ekspertët e ISHP e vlersojnë nismën për heqjen e depozitave duke theksuar se uji i tyre është i ndotur dhe burim sëmundjesh të rrezikshme. Sipas tyre, për momentin nevojë imediate është furnizimi pa ndërprerje me ujë të pijshëm, i cili është detyrim ligjor, por edhe moral ndaj taksapaguesve shqiptarë.
Sipas studimeve dhe monitorimeve të ISHP, uji që kalon nga depozitat është jo-higjenik, për shkak se njerëzit nuk kujdesen për pastrimin dhe dezinfektimin e tyre.
Ndotja e ujit nga depozitat mund të sjellë një sërë sëmundjesh. “Zakonisht janë sëmundjet gastrointestinale, diarreja, si dhe sëmundjet infektive me origjinë hidrike, ato që shkaktohen kryesisht nga uji i depozitave, por natyrisht nuk përjashtohen edhe shumë të tjera, të cilat mund të jenë më sporadike”, tha për gazetën Shqip, Valbona Bara, specialiste në Institutin e Shëndetit Publik.
/l.k./