Kombet e Bashkuara: Niveli i dioksidit të karbonit në ajër ka arritur nivele alarmuese
Sasia e dioksidit te karbonit ne ajër po rritet me ritme alarmante, duke arritur nivele që nuk ishin parë në miliona vite, thuhet nga Kombet e Bashkuara.
Nivelet e rrezikshme të CO2 mund të nxisin një rritje me 20 metra të nivelit të detit dhe të shtojnë në 3 gradë temperaturat, thuhet në raportin e Organizatës Botërore të Meteorologjisë.
Nivelet e CO2 po rriten me shpejtësi, vetëm këtë vit janë rritur me 50% më shumë mbi mesataren e dekadës së shkuar.
Bota nuk ka përjetuar kurrë rritje të nivelit të dioksidit të karbonit me këtë shpejtësi dhe intensitet. Rritja është 100 herë më e shpejtë se ajo e periudhës kur toka ka dalë nga epoka e fundit e akullnajave.
“Përqendrimi i sotëm i CO2 prej rreth 400 ppm tejkalon nivelin natyror të parë në qindra mijëvjeçarë”, thuhet në buletinin e Organizatës Botërore të Meteorologjisë.
Të dhënat e fundit të kësaj organizate përforcojnë nevojën e takimit në Bon (Gjermani), muajin e ardhshëm ku ministrat e mjedisit të vendeve nga e gjithë bota do të punojnë mbi udhëzimet e marrëveshjes klimatike të Parisit, e mbështetur nga 195 shtete në vitin 2015.
Marrëveshja është tashmë nën presion, pas deklaratave të Presidentit të SHBA Donald Trump i cili ka thënë se ka në plan të tërhiqet nga marrëveshja që ka për qëllim të kufizojë rritjen e temperaturave poshtë 2 gradë celsius, krahasuar me epokën para-industriale. /l.k./
Burimi: The Independent