Bulqizë: Asfiksohen 27 nxënës, shkak avaria në sistemin e ngrohjes
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në shkollën e mesme të Shupenzës në Bulqizë. 27 nxënës të kësaj shkolle kanë shfaqur problem shëndetësore për shkak të keqfunksionimit të sistemit të ngrohjes.
Sipas njoftimit të policisë shkak është bërë oxhaku i kaldajave, i cili ka qenë i bllokuar dhe për pasojë tymi është shpërndarë në ambientet e brendshme të shkollës.
Reagon Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale:
Sipas njoftimit të ministrisë nxënësit janë shpërndarë në spitalet e Bulqizës dhe Peshkopisë.
“15 prej të cilëve po marrin trajtimin e duhur mjekësor në spitalin e Bulqizës dhe 12 po transportohen aktualisht në spitalin e Peshkopisë. Qendra Shëndetësore Shupenzë ka dhënë ndihmën e parë për të gjithë nxënësit dhe po vazhdon të japë shërbim në vijim të paraqitjes së rasteve të reja”, thuhet në njoftim.
Mjeku i spitalit të Bulqizës: Nxënësit janë jashtë rrezikut për jetën
16 nxënës janë transportuar në spitalin e Bulqizës dhe janë jashtë rrezikut për jetën. “Nxënësit kanë pasur problem me tensionin, por tashmë janë jashtë rrezikut për jetën”, ka thënë mjeku Shahin Kraja për “Report TV”.
Një prej nxënësve sillet me urgjencë në Tiranë:
“Balkanweb” raporton se një nga nxënësit e shkollë së Shupenzës po transportohet me helikopter drejt kryeqytetit për të marrë ndihmë mjekësore.
/l.k./