Dëbimi i azilantëve shqiptarë shkakton protesta në Gjermani
Vendimi i dëbimit nga Gjermania për një vajzë shqiptare, është bërë objekt debatesh mes autoriteteve shtetërore dhe shoqërisë civile. Ishte vet kryetari i Gjykatës së Qarkut në qytetin Bielefeld që ka bërë thirrje publike për largimin e 18-vjeçares.
Por Organizata e Mbrojtjes së Azilkërkuesve e ka kundërshtuar kryetarin Jens Gnisaka. Ata kanë organizuar demonstrata kundër dëbimit të shqiptares dhe kanë kërkuar nga Gjykata e Lartë shfuqizimin e vendimit.
Gjykata e Lartë ka bërë shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Qarkut dhe ka shpallur ankesë kundër ndalimit të refugjates. Pak ditë më vonë, komuna, për shkaqe humanitare kishte anuluar dëbimin e shqiptares.
Megjithatë, rasti i azilantes 18-vjeçare nuk është i vetmi që ka prekur gjermanët. Edhe në qytetin gjerman Bookholbergm, një familje nga Kosova ka arritur të fitojë mbështetjen e komunitetit. Madje, disa nxënës gjermanë kanë nisur një peticion për mbrojtjen e familjes shqiptare nga riatdhesimi dhe dhënies së statusit të azilantit. Sipas nxënësve të shkollës, fëmijët kosovarë nga 13, 15 dhe 17 vjeç janë mirëintegruar dhe aktivizohen në futboll me klubet lokale. Deri tani ata kanë grumbulluar 200 nënshkrime. /m.g
Burimi: Balkanweb