Gjuha fyese si mjet politik për Veliaj

Kohët e fundit retorika e urrejtjes, fyerjeve dhe gjuhës diskriminuese duket të jetë bërë pjesë e diskursit normal të politikanëve jo vetëm në botë, por edhe në vendin tonë.
Nuk përbën më lajm fyerja e komuniteteve të caktuara nga ana e Kryebashkiakut Veliaj apo dhe drejtuesve të tjerë politikë. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak banorët e zonës së Unazës së Re u quajtën shpellarë nga kryebashkiaku i tyre. Parlamenti i qytetit të Tiranës, që merr vendime në mungesë të plotë të transparencës dhe konsultimit publik, nuk i konsideron qytetarë të denjë për t’i përfaqësuar banorët e Unazës së Re, por thjesht si “shpellarë që shqyejnë godina, që dhunojnë njerëz që punojnë për këtë qytet”.
Qindra familje të Unazës së Re, nuk janë asgjë më shumë për Kryebashkiakun e Këshillin Bashkiak se “ata që s’kanë asnjë letër, që kanë zaptuar tokën e dikujt tjetër, jo tokën e tyre.” Diskriminimi vazhdon dhe në përmendjen e grupeve të tjera të shoqërisë me nota qartësisht paragjykuese dhe raciste: “Sot dhe romët jetojnë më mirë, janë bërë njerëz.”
E ndërsa protestat vazhdojnë, asnjë reagim i mirëfilltë nuk vjen kundër denigrimit që i bëhet komuniteteve dhe shoqërisë në përditshmëri nga politika dhe politikanët. Apatia institucionale legjitimon deklarata të tilla duke u bërë njësoj fajtore në diskriminimin dhe cënimin e integritetit të individëve të shoqërisë. Institucione si Këshilli Bashkiak i Tiranës, Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi e dhjetëra departamente në qeverisjen qendrore duhet të dënojnë e kundërshtojnë deklarata të tilla fyese dhe aspak të denja për figura politke të këtyre përmasave.
Thirrjet e përsëritura raciste, diskriminuese, që nxisin urrejtje e ndasi, që ndajnë qytetarët në disa të denjë e disa të padenjë, disa civilë e disa ”shpellarë”, janë precedentë të rrezikshme për shoqërinë. Kryebashkiaku ‘cool’ e modern i Tiranës, që përvesh mëngët e nuk lë lopatë pa kapur e trotuar pa shtruar, duhet fillimisht të kuptoj vlerat e dinjitetit njerëzor, e se ato janë të pacënueshme në shoqëritë demokratike./ Shënim i redaksisë