Lëvizja “Për Universitetin”: Çfarë ndodhi dje? Reagimi ndaj PD dhe si do të vazhdojmë
Lëvizja Për Universitetin ka publikuar një komunikatë zyrtare ku sqaron dinamikat e ngjarjes, qendrimin përmbajtësor, reagimin ndaj Partisë Demokratike si edhe hapat që do të ndërmarrë në vazhdim.
Ndërkohë sot ka qarkulluar në disa media online se protestat me vezë të studentëve kanë vazhduar edhe sot në godinën e Ministrisë së Arsimit. Por janë vetë aktivistët e lëvizjes “Për Universitetin” që e mohojnë këtë fakt. “Ne nuk e dim se kush i ka nxjerrë këto, por janë akuza të pavërteta. Nuk kemi qenë ne”.
DINAMIKA E NGJARJES
Fillimisht në deklaratë sqarohet konteksti i ngjarjes dhe mënyra spontane si studentët u organizuan.
“Të indinjuar nga shpërfillja kryeministrore që i trajton mjediset universitare si zyra partie për propagandë dhe të fyer nga prania e tij në vendin e krimit qeveritar, vatrën e rezistencës universitare ndaj ligjit të arsimit të lartë, aktivistë të Lëvizjes Për Universitetin janë organizuar aty për aty për t’i shprehur kryeministrit publikisht indinjatën dhe mllefin e tyre ndaj padrejtësive që po i bën qeveria jetës universitare publike”, thuhet në deklaratë.
Në konfrontimit e parë më Kryeministrin ku studentët i janë drejtuar me akuza dhe kritika, ata shkruajnë se badigardëd kanë ushtruar dhunë ndaj aktivistet Viktori Cipi. Fill pas kësaj ata kanë qëlluar me vezë në drejtim të Kryeministrit.
Më tej në deklaratë sqarohet ccfarë ka ndodhur pas këtij momenti:
“Menjëherë shpura e badigardëve, policëve dhe të tjerë keqbërësve të pranishëm u është sulur dhunshëm studentëve dhe, në kundërshtim me ligjin për paprekshmërinë policore të mjediseve universitare, kanë marrë zvarrë, qëlluar me shpulla dhe grushte studentët e pranishëm. Tetë prej tyre, Klodi Hoxha, Anita Lushi, Bora Mema, Liri Kuçi, Vitori Çipi (nga Lëvizja Për Universitetin), Dardan Konjufca, Valton
Marku dhe Durim Jasharaj (nga Klubi Politik i Studentëve në Kosovë) janë futur me dhunë në makinat policore. Brenda makinave studentët meshkuj janë qëlluar edhe me grushte. Me grusht janë qëlluar në shpinë edhe studentët Bora Mema dhe Valton Marku në korridoret e komisariatit nr. 2 të Tiranës nga një civil që hamendësohet të jetë punonjës policie. Si në mjediset e komisariatit nr. 2, ashtu edhe në ato të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, studentët janë dhunuar psikologjikisht me kërcënime nga punonjësit e policisë.“

Foto e protestës së zhvilluar dje përpara Drejtorisë së Policisë Tiranë
Pas shoqërimit të studentëve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, studentë dhe qytetarë u mblodhën aty në shenjë proteste.
Përfaqësues nga Avokati i Popullit të cilët kërkuan të vizitojnë të ndaluarit për të parë nëse ndaj atyre ishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike. Në deklaratë theksohet se Avokatët nuk janë lejuar të kryejnë detyrën e tyre për më se një orë.
Sqarimi për dinamikën e ngjarjes mbyllet me momentin kur studentët u liruan, në orën 19: 30:
“Si rezultat i presionit qytetar përpara Drejtorisë së Policisë dhe të opinionit publik të shprehur në të gjitha mediat, aktivistët studentorë janë liruar në orën 19.30 dhe ndaj tyre pritet që policia të ngrejë akuzën e kundërshtimit të forcave policore. Sot studentët e lënduar kanë kryer ekzaminimet mjeko-ligjore dhe do ta ndjekin çështjen ndaj Policisë së Shtetit edhe penalisht për të vënë përpara ligjit të gjithë urdhërdhënësit dhe ushtruesit e dhunës.”
QENDRIMI PERMBAJTESOR
Më tej deklarata vijon me sqarimin e arsyeve dhe qendrimeve që i cuan studentët në konfrontimin me Kryeministrin. Arsyet janë: papajtueshmëria me Ligjin për Arsimin e Lartë, rritja e tarifave që pritet të shoqërojë këtë ligj, cënimi i lirisë universitare dhe kritika ndaj autoriteteve të universiteteve publike.
Qëndrimet e mësipërme i kemi artikuluar dhe ngritur për dy vjet me radhë, të shpërfillur dhe ofenduar nga qeveritarët dhe të margjinalizuar nga mediat. Kemi gjetur solidaritetin e shumë studentëve dhe pedagogëve, ashtu sikundër kemi hasur frikën dhe ngurrimin e një pjese prej tyre për të na mbështetur edhe publikisht, jo vetëm në biseda konfidenciale.
Ata shkruajnë se konfrontimi i djeshëm ishte jo vetëm një ballafaqim me Kryeministrin por edhe një akt inkurajimi për personat që mendojnë ndryshe.
FOTOGALERI E PROTESTAVE TE MEPARSHME TE LEVIZJES PER UNIVERSITETIN
- #reformanukkalon
“Konfrontimi i djeshëm me kryeministrin kishte për qëllim jo vetëm ballafaqimin me personin që sintetizon keqbërjen sistemore ndaj arsimit të lartë publik në Shqipëri, por edhe inkurajimin e të shumtëve që mendojnë si ne, por nuk guxojnë të na bashkohen publikisht ose nuk kanë shpresë se në një vend ku mbyt dëshpërimi social mund të ndryshojnë gjërat. Ne shpallim se nuk kemi frikë dhe se organizimi, vendosmëria dhe kthjelltësia intelektuale e rezistencës do t’i sjellë frytet e veta.”, thuhet në deklaratën e Lëvizjes Për Universitetin
REAGIMI NDAJ PARTISE DEMOKRATIKE
Studentët kanë dalë kundër asaj që e quajnë “instrumentalizim i protestës tonë” nga Partia Demokratike. Ata shprehen se kjo protestë nuk po i drejtohet vetëm qeverisë, por është kundër një sistemi të tërë politik të kalbëzuar nga korrupsioni, klientelizmi, privatizimi dhe përvetësimi i publikes, pjesë themelore e të cilit është edhe Partia Demokratike.
Më tej ata kujtojnë se të njëjtën reform ka tentuar ta ccojë përpara dhe Partia Demokratike në kohën kur ishte në mazhorancë, duke e shprehur atë në tre dokumente të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në vitet 2010 – 2013.
SI DO TE VAZHDOJE LEVIZJA PER UNIVERSITETIN?
“Konfrontimi i djeshëm me kryeministrin ishte vetëm aksioni i radhës në procesin e gjatë që e kemi nisur prej vitesh dhe do ta vazhdojmë derisa të kemi frymë për çlirimin e jetës universitare nga kolonizimi i qeverisë dhe i interesave të privatëve të fuqishëm. Përmes organizimit në çdo fakultet, ne do të synojmë një masivizim të tillë të rezistencës i cili do të mundësojë bllokimin e jetës universitare publike duke e pamundësuar jetësimin e ligjit të arsimit të lartë. Po ashtu po mendojmë forma rezistence edhe më krijuese dhe të papritura. I japin fjalën kryeministrit se “nuk ka parë gjë akoma”.
Studentët e bashkuar kanë për të fituar!
Për Universitetin, Për Shoqërinë!” , përfudon deklarata zyrtare e Lëvizjes për Universitetin.
/l.k/