Plazhet shqiptare: 7 viktima në gjashtë ditë, asnjë masë për zbatimin e ligjit “Për sigurinë në det”
Numri i viktimave në plazhet shqiptare vazhdon të rritet çdo ditë. Në pjesën më të madhe, rastet e vdekjeve mund të ishin shmangur nëse do të zbatohej ligji “Për sigurinë në det dhe plazhe”, i cili detyron vendosjen e kullave të vrojtimit në çdo largësi 200-250 metra në zonat e caktuara për plazh dhe aktivitete çlodhëse.
Zhytësi me përvojë 50-vjeçare, Ismail Kasumi tha në një intervistë për Klan Kosova se rastet e mbytjeve janë tragjedi që vijnë nga mos respektimi i standarteve.
“Gjithë këto raste të mbytjeve janë një tragjedi. Në bregdetin shqiptar nuk janë të precizuara vendet deri ku mund të notojnë qytetarët, mungojnë shpëtimtarët dhe nuk ka vrojtore. Do të apeloja tek të gjithë pronarët e plazheve që të precizojnë këto zona sa më shpejt”.
Foto: Ndarja e zonës së sigurt për pushesit e cila rrallëherë aplikohet në plazhet shqiptare
Shtatë të mbytur në plazhet shqiptare në 6 ditë:
Ka shkuar në 7 numri i pushuesve që kanë humbur jetën në plazhet e shqiptare vetëm në 6 ditët e fundit.
Vlorë: 15-vjeçari humb jetën tek “Uji i Ftohtë
Vetëm 6 ditë më parë 15-vjeçari E.B., banues në lagjen “10 Korriku” në Vlorë u mbyt te “Uji i Ftohtë”. Ai u transportua për ndihmë mjekësore por nuk mundi të shpëtojë nga mbytja.
Zvërnec: mbyten 3 të rinj
3 të rinj humbën jetën në Zvërnec të Vlorës në plazhin e Portonovës. Ata ishin dy vajza dhe një djalë. M.M., 27 vjeç, Xh. C., 25 vjeç dhe B.F., 24 vjeç ishin viktimat. Ky i fundit u mbyt pasi u përpoq të shpëtonte nga mbytja dy vajzat.
Velipojë: Humb jetën pushuesi 75 -vjeçar
Një pushues nga Kosova u mbyt në plazhin e Velipojës. Policia deklaroi se 75-vjeçari vuante nga probleme kardiake dhe ka pësuar atak kardiak në momentin që ka hyrë në ujë.
Trupi i viktimës u nxor në breg nga të afërmit që ndodheshin aty pranë.
Velipojë: Humb jetën 35-vjeçari
35-vjeçari me inicialet F.H., banues në Prishtinë ka humbur jetën dje në plazhin e Velipojë.
Dëshmitarët e ngjarjes kanë deklaruar se 35-vjeçi është mbytur në përpjekje për të shpëtuar bashkëshorten e tij.
Ksamil: 16-vjeçarja gjendet e mbytur me plagë në kokë
Një 16-vjeçare me shtetësi Ruse është mbytur në Ksamil, në zonën e njohur si “Tre ishujt Policia ndodhet në vendngjarje dhe po heton. Viktima është gjetur me plagë prerëse në kokë, familjarët pretendojnë se është goditur nga një motor uji.
/l.k./